Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën Hans Kluge, ka deklaruar se vaksinimi i detyrueshëm kundër Covid duhet të jetë zgjidhja e fundit.
“Vaksinimi i detyrueshëm është zgjidhja e fundit që çdo qeveri duhet të mendojë dhe diçka e tillë duhet të zbatohet vetëm kur të gjitha alternativat e tjera të jenë ezauruar”.
Megjithëse kjo çështje nuk është në agjendën e ministrave të Shëndetësisë në Bruksel, debati se a duhet bërë vaksinimi i detyrueshëm po nxitet për shkak të një vale të re të pandemisë.
Ministri gjerman i Shëndetësisë nënvizon se duhen bërë dallime mes atyre personave që janë të vaksinuar dhe atyre që nuk janë imunizuar në jetën e përditshme.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen beson se duhet nisur një debat lidhur me këtë çështje por ministrat thonë se kjo është një çështje që u përket shteteve anëtare. I këtij mendimi është edhe MinistrI maltez i Shëndetësisë Christopher Fearne.
“Nëse duhet të jetë e detyrueshme apo jo vaksina, mendoj se në këtë pikë mbetet një pyetje që duhet të vendosin vetë shtetet anëtare. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë në të ardhmen. Duhet të të marrim një vendim të përbashkët si Union për këtë. Për momentin, duhen më shumë vaksina duke përfshirë dozat përforcuese”.
Austria u bë shteti i parë europian që do ta bëjë të detyrueshme vaksinimin, një vendim i cili do të bëhet realitet në Shkurt. Edhe në Gjermani po diskutohet një vendim i tillë dhe duket se Kancelari i ardhshëm Olaf Scholz është pro këtij vendimi.