Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka folur rreth variantit Omicron të pandemisë së koronavirusit, që ka shqetësuar të gjithë botën. Në emisionin “Open”, Alimehmeti ka bërë me dije se rritja e rasteve të reja me Covid-19 në Afrikën e Jugut tregon se ka transmetueshmëri të lartë, por të dhëna të tjera nuk dihen ende.
“OBSH, CDS, të gjtha bashkë vendosën se është variant shqetësues. Ne dimë shumë pak, dimë listën e gjatë të mutacioneve dhe mendon se mund të presësh gjëra në të ardhmen. Disa variante kanë pasur transmetueshmëri të lartë dhe kjo merr bazën e të dhënave se mund të sjellë trasmetueshmëri të lartë. Provë është Afrika e Jugut që janë rritur rastet. Kemi shumë mungesë informacionesh. Keni rreth 1400/1500 variante të ndryshme. Do ta ndjekim. Afrika e Jugut ka pasur dhe një variant shqetësues, por nuk erdhi asnjëherë në Europë. Do ta shohim. Kemi disa limitime dhe boshllëqe njohurie, duhet të ruajmë kujdesin,”-tha Alimehmeti.
Sipas epidemiologut pavarësisht faktit që nuk dihen ende shumë të dhëna për variantin e ri Omicron, vaksinat janë arma më e fortë që njerëzimi ka edhe ndaj këtij mutacioni.
“Omicron është ende kuti e zezë. Nuk njohim shumë gjëra në lidhje me të. Studimi është më i vështirë për t’u bërë se kur një mutacion ka komplikacione të dukshme e bën më të lehtë. Potenciali është që vaksinat të funksionojnë dhe një sinjal i parë erdhi nga Izraeli ku thanë 93% mbrojtje ndaj komplikacioneve të rënda dhe ka rënë 5% imuniteti në krahasim me variantin Delta”, tha ai.