Masa të reja, rekorde të reja ndërsa varianti Omicron vazhdon të përhapet: kjo është pasqyra e zhvillimeve më të fundit në lidhje me pandeminë COVID-19 në botë.

Omicron po përhapet me shpejtësi

Varianti i ri përbën 73% të rasteve të reja në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, sipas Joe Biden nuk ka asnjë arsye për të shkaktuar “panik”. Megjithatë, presidenti amerikan paralajmëroi ata që nuk janë vaksinuar plotësisht, që të vaksinoheshin pasi është “detyrë e tyre patriotike”.

Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar më herët strategjinë e re që kishte miratuar: teste, ambiente më të mëdha të vaksinimit dhe mjete shtesë për spitalet, por jo masa kufizuese para Krishtlindjeve.

Varianti i ri i koronavirusit Omicron është përhapur gjerësisht në Kontinentin e Vjetër: “Omicron do të bëhet, ose tashmë është bërë, dominues në shumë vende, duke përfshirë Danimarkën, Portugalinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku numrat dyfishohen çdo tre ditë, tha Dr. Hans Kluge, drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, raporton abcnews.al

Në Britani për momentin 129 persona të infektuar me Omicron janë të shtruar në spital dhe 14 persona kanë humbur jetën, tha sot për Sky News nënsekretarja britanike e shëndetësisë, Gillian Keegan. Ajo gjithashtu vuri në dukje se qeveria britanike nuk do të hezitojë të vendosë kufizime të mëtejshme për shkak të Covid-19.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha të martën, se nuk do të vendosë kufizime të reja përpara Krishtlindjeve, por situata mbetet jashtëzakonisht e vështirë dhe qeveria mund të duhet të veprojë më pas.

Franca, ku 20% e rasteve pozitive janë varianti Omicron, nuk përjashton mundësinë e vendosjes së masave kufizuese. Spanja dje regjistroi një rekord kombëtar prej 49,823 rastesh të reja me koronavirus në 24 orë, pothuajse gjysma e të cilave ishin të infektuar me Omicron, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Izraeli miraton dozën e katërt për personat mbi 60 vjeç

Kryeministri izraelit Naftali Bennett tha se të gjithë izraelitët mbi moshën 60 vjeç dhe stafi mjekësor do të marrin dozën e katërt kundër Covid.

Masa të reja kufizuese në Europë

Kancelari gjerman Olaf Solz njoftoi dje se ngjarjet sportive në Gjermani do të zhvillohen me dyer të mbyllura për të frenuar epideminë. Përballë kërcënimit të Omicron, kontaktet, qoftë edhe mes të vaksinuarve, do të kufizohen në maksimum me 10 persona në natën e ndërrimit të viteve. Suedia do të zbatojë një sërë masash, nga puna në shtëpi deri tek përdorimi i zgjeruar i lejes së vaksinës, në përgjigje të rritjes së numrit të rasteve.

Në Finlandë, baret do të ndalojnë shërbimin e alkoolit në orën 21:00 dhe do të mbyllen në orën 22:00 në prag të Krishtlindjeve. Më shumë se 23,000 raste të reja me koronavirus janë regjistruar gjatë dy javëve të fundit, një rekord absolut në këtë vend me 5.5 milionë banorë, raporton abcnews.al

Më shumë se 5.35 milionë viktima

Pandemia ka shkaktuar të paktën 5.35 milionë viktima në mbarë botën që kur zyra e OBSH-së në Kinë njoftoi rastin e parë me COVID-19 në fund të dhjetorit 2019, sipas një raporti të publikuar dje. Në shifra absolute, vendet që kanë regjistruar më shumë viktima që nga janari i 2020 janë SHBA (809.958), Brazili (617.948), India (478.007) dhe Rusia (299.249). Për sa i përket popullsisë, vendet në të cilat epidemia ka shkaktuar më shumë dëme janë Peruja, Bullgaria, Bosnja dhe Hungaria.

Rajoni i Europës ka numrin më të lartë të viktimave, i ndjekur nga SHBA/Kanada. Sipas OBSH-së, duke pasur parasysh shkallën e lartë të vdekshmërisë që lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me COVID-19, se shkalla e pandemisë mund të jetë dy deri në tre herë më e lartë se ajo e regjistruar zyrtarisht.

Japonia: Ndryshimet në McDonald’s

Në Japoni, zinxhiri i ushqimit të shpejtë MacDonald’s njoftoi se për një javë, deri më 30 dhjetor, dyqanet e tij në vend do të shesin vetëm patate të skuqura për shkak të “vonesave të furnizimit” të lidhura me përmbytjet në Kanada dhe pandemisë së koronavirusit.