Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, vizitoi sot Panairin Ndërkombëtar të Tiranës ku pasqyrohet një Ballkan pa kufij ekonomikë.

Në një intervistë të shkurtër për News 24, Bytyqi tha se kjo pasqyron më së miri qëllimin që mbart në vetvete nisma ‘Ballkani i Hapur’, teksa shtoi se tre vendet që aktualisht nuk janë pjesë e saj, do të kuptojnë pas disa vitesh se ‘Ballkani i Hapur’ për ta do të jetë një mundësi e humbur.

“Ky panair është dëshmi e pastër e iniciativës Open Balkan dhe qëllimit që “Ballkani i Hapur” ka. Fatkeqësisht ne në Ballkanin Perëndimor nuk fokusohemi tek qëllimi në vetvete. Qëllimi i Open Balkan është që të rriten konkurueshmëria rajonale dhe e bizneseve. Ne duhet të sjellim biznesin më afër, ta ketë më të lirë për të lëvizur që të ketë mundësi të rritet si biznes pa marrë parasysh nëse atë e bëjnë në vendin e tyre apo e bëjnë në rajon. Do të vijë momenti kur ne do të bëhemi të gjithë pjesë e Bashkimit Europian, kur ndoshta ata që nuk do të jenë pjesë e “Open Balkan” tani do të thonë pse nuk e bëmë para disa viteve sepse do të jetë një mundësi e humbur”, tha Bytyqi.

Sa i përket zërave kritikë lidhur me këtë nismë, Bytyqi u shpreh se “Është koha që konfliktet politike duhet të lihen anash, zgjidhja e konflikteve është dialog.” NEWS 24