Zëdhenesi i Qeverisë, Endri Fuga ka reaguar në lidhje me publikimin e të dhënave personale dhe sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve, shtetas shqiptarë dhe të huaj që punojnë në Shqipëri. Qeveria mohon që ky informacion të ketë dalë nga Ministria e Ekonomisë dhe se dokumenti që ka rrjedhur nuk ka të njëjtën paraqitje me dokumentin zyrtar që disponon kjo ministri, nuk përmban emrin e plotë dhe se është bashkim i disa copave të ndryshme.

Ministria e Ekonomisë do të denoncojë rastin në prokurori për zbardhjen e kësaj ngjarje që e cilëson kriminale.

Reagimi i plotë: Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme. Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.