Drejtuesit Politik i të Partisë Socialiste të Qarkut të Fierit, Taulant Balla vizitoi sot një prej qendrave të kujdesit ndaj personave të vetmuar në Fier.
Pas vizitës, i pyetur nga mediet në lidhje me publikimin e të dhënave të qytetarëve, Balla tha se, “është një krim , i cili duhet ndëshkuar ashpër”.
“Unë e kam thënë dje dhe dua ta nënvizoj, prej disa muajsh është punuar nga ekspertë të fushës për të ndryshuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Mendoj se është momenti i duhur për të ashpërsuar penalitetet ndaj kujtdo që tenton të shpërdorojë, qoftë edhe duke i publikuar, apo duke i vënë në rrezik, marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës. Sepse në rastin në fjalë, këto të dhëna i kanë shërbyer në mënyrën më të keqe një lloj konflikti mes punëdhënësit dhe punëmarrësit”, tha Balla.
Balla theksoi se, “përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e BE është një domosdoshmëri”.
“Besoj që në javët në vijim, sapo Kuvendi i Shqipërisë të rifillojë punën, pasi të jetë marrë edhe opinioni i qeverisë natyrshëm dhe i Komisionit Evropian”, tha Balla.
Ai shtoi se, “çështja e të dhënave personale është një prej pjesë përbërëse të atyre kapitujve të marrëveshjes për anëtarësim që Shqipëria do të fillojë të negociojë me BE-në”.
“Besoj se biem të gjithë dakord që ishte një përpjekje për të destabilizuar marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës. Dhe natyrshëm, ashtu siç bëri kryeministri edhe unë do të doja që t’i shprehja atë ndjesën kujtdo që publikimi i këtyre të dhënave i ka krijuar problematika. Kryesisht sektorit të biznesit. Por besoj që të gjithë duhet të kuptojmë që këto janë ngjarje apo problematika që ndodhin në shumë vende. Kanë ndodhur në SHBA para disa kohësh, nëse e mbani mend, me të dhëna shumë më konfidenciale, sikurse ishin komunikimet, kabllogramet diplomatike të shërbimit të jashtëm amerikan me Departamentin e Shtetit, Wikiliksin e famshëm”, tha Balla.