Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shqiptarët paguajnë për koncesionet e trashëguara nga qeverisja e kaluar, ndërsa për koncesionet dhe PPP-të e ndërtuara gjatë qeverisjes së PS, shqiptarët i marrin shërbimet pa paguar. I pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, nëse do të jenë PPP-të dhe koncesionet pjesë e këtij Këshillimi Kombëtar, Rama tha se, “koncesionet dhe PPP-të janë instrumente të vënë në dispozicion nga bota, gjithë qeverive dhe nuk janë shfaqje të huaja. Kështu që nuk kemi çfarë konsultojmë lidhur me këto koncepte. Këto janë koncepte, janë instrumente. Nuk kemi çfarë diskutojmë, sepse jemi në një vend kapitalist. Ku të gjithë instrumentet janë në dispozicion”.

“Shqiptarët paguajnë është e vërtetë. Shqiptarët paguajnë për efekt koncesionesh të caktuara. Por ja që na del që shqiptarët paguajnë për koncesionet e trashëguara. Për koncesionet dhe PPP-të të ndërtuara gjatë qeverisjes sonë, ky është dallimi i madh që shqiptarët i marrin shërbimet pa paguar. Pra shqiptarët e bëjnë check-up-in falas. Natyrisht, paguan shteti që ata ta bëjnë falas. Shqiptarët i bëjnë analizat laboratorike, mjekësore sot në një sistem modern laboratorësh falas. Por, natyrisht që për laboratorët dhe për të gjithë analizat, shteti ka marrë përsipër të paguajë partnerin privat, i cili ka bërë investimin bazë”, theksoi Rama.

“Shqiptarët po njohin Dibrën. Nuk e njihnin Dibrën një pjesë e madhe e shqiptarëve. Se dhe unë po të mos isha bërë kryetar i PS, mbase nuk do të kisha shkuar kurrë në Dibër. Se për çfarë do shkoja në gjithë atë tmerr rrugë? Sot shkoni shikoni, pa u mbaruar e gjitha, sepse kemi akoma tunelin që do e bëjë Dibrën jastëkun e kryeqytetit, shkojnë e vijnë studentët dibranë, që deri dje merrnin dhe jetonin me qira këtu, shkojnë e vijnë në Dibër sot. Çfarë është ky? PPP. Pse nuk u bë 30 vjet dhe pse u bë sot? Dhe ku është e keqja e këtij partneriteti. Natyrisht që investon një privat për ta bërë këtë sot, se po ta merrte shteti përsipër do t’i duheshin vite e vite të tëra, siç ka ndodhur me vepra të tjera publike. Se është punë financiare”, tha Rama.

“Shqiptarët bëjnë dializa sot në kushte ultra moderne, nuk paguajnë asnjë lek. Ndërkohë që dje e bënin me lek dhe e bënin me turne, në ferrin e një klinike këtu në Tiranë, që me-demek ishte publike”, theksoi Rama. “Kështu që e rëndësishme nuk është a bën, a s’bën koncesione, partneritete etj. Shqiptarët sot kanë kryeqytetin e tyre që nuk ka më tym me plehra. Kanë Elbasanin që ishte gangrenë plehrash, nuk ka më tym. Kanë Fierin. Patjetër që këto janë koncesione, janë partneritete. Përfitojnë shqiptarët, sigurisht. Është shumë e thjeshtë”.