Nga Thumana ku banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit po udorëzohen çelsat e shtëpive të reja, kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar që të bëjë ironi me situatën aktuale në Partinë Demokratike.

Ndërsa u thoshte banorëve se tashmë do të kenë në pronësi të tyre shtëpi të reja, më të sigurta dhe më komode, Rama u tha me shaka që të kenë kujdes bravat.

Kreu i qeverisë vijoi duke shtuar se edhe nëse ndërrohen pushtetet, maksimumi do të ndryshojë ngjyrën e bravës, por “gjë tjetër me banesat e tyre të reja nuk bëjnë dot.”

“Sot merrni çelësin, titullin e pronës dhe do t’i gëzoni shtëpitë pa paguar asnjë qindarkë. Vetëm bëni kujdes për bravat se nuk i dihet. Në rastin më të keq, edhe sikur gjërat të ndryshojnë në vitet e ardhshme, do të ndryshojnë ngjyrën e bravës, gjë tjetër nuk u bëjnë dot…”

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se procesi i rindërtimin nuk ishte i lehtë, por shtoi ai, edhe me ndihmën e disa fondacioneve apo individëve u realizua.

“Është çuar përpara një proces aspak i lehtë, për mundësimin e kësaj pamjeje që dy vjet më parë askush nuk do ta kishte besuar dot sesi do të ishte Thumana e dy viteve më pas. U jam mirënjohës atyre që na u bashkua, Behgjet Pacolli, fondacioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’. Është një bashkim forcash, energjish, që jam krenar që e kemi udhëhequr vendosshmërisht në një kohë aspak të lehtë…Jam shumë krenar që këto nëna gjyshër e baballarë, sot do të hynë në shtëpitë e tyre dhe deri për Vitin e Ri të gjitha familjet do të bëjnë gëzuar në një shtëpi të re që s’ka lidhje me shtëpinë që humbën, më të fortë, më komode, pjesë e një kompleksi që krijon komunitet dhe me katet e para shërbimesh…Jam i lehtësuar që vajza dhe djemtë adoleshentë të Thumanës zhvillojnë sot mësim në një shkollë të rindërtuar, pranë janë fëmijët që kanë kopshtin e tyre..”