Kadastra nuk do të ekzistojë më si sportel dhe të gjitha shërbimet që sot kryhen aty, do të kalojnë online. Kështu bëri me dije sot kryeministri Edi Rama nga Shkodra, ku prezantoi ligjin e ri për Bashkëqeverisjen.
“Kadastra do mbyllet si sportel për të aplikuar që të heqim dhe sekserët. Po bëjmë, i kemi dhënë shtysë të re, procesit të digjitalizimit të plotë të kadastrës që brenda këtij mandati titulli i pronësisë të të vijë në telefon. Është e mundur të mos shkohet fare në kadastër për të aplikuar, sportelet e kadastrës do mbyllen. I bëjmë këto takime për t’i thënë shqiptarëve që keni një Shqipëri të re. Qytetarët për të marrë një shërbim kanë qenë të detyruar që të shkojnë në zyra të tjera për të marrë dosjen, shkojnë kërkohen shumë letra, për të marrë një dokument duhet të bësh 10 radhë, kjo nuk do ekzistojë më, ti do bësh vetëm aplikimin, dhe të gjitha letrat që ti deri më sot i merr ti nëpër zyra do i siguroi vetë zyra ku t’i aplikon. Nuk do kesh më nevojë të çosh dëshmi penaliteti. Të gjithë ata që rrinë nëpër sportele duke parë nga xhepat, nuk do shohin më njeri dhe aty te ekrani i kompjuterit do punojnë për çdo njeri”, tha Rama.