Kryeministri Edi Rama tha në një takim me qytetarët në Shkodër për “Bashkëqeverisjen si Ligj i Ri” se në vitin 2022 do të hiqen të gjitha sportelet dhe shërbimet do merren online.

Mes të tjerash, kreu i qeverisë deklaroi se me ligjin e ri do të ketë dy lloj sanksionesh ndaj punonjësve të administratës, të cilët vonojnë përgjigjet për qytetarët.

Sipas Ramës, ata që nuk i përgjigjen hallit të qytetarëve, do të kenë ndjekje penale, por edhe sanksione financiare, pra që do iu duhet të paguajnë nga rroga e tyre dëmin e shkaktuar.

“Vetëm 5% e shërbimeve nuk janë online, për shkak se janë të lidhura domosdoshmërisht me prezencën e qytetarit. Ndërkohë që të gjitha shërbimet e jetës së përditshme janë në disponim pa pasur nevojë me dalë nga shtëpia. Kjo bën që ne në vitin ku po hyjmë të mbyllim sportelet. Është një vendim i fortë, sepse mbase do të krijojë konfuzion, por është vendim i pashmangshëm, për të orientuar të gjithë qytetarët në sistemin e ri të shërbimeve, duke iu hequr nga kurrizi gjithë barrën e stresit, humbjes së kohës, ryshfeteve dhe atyre torturave që i dinë të gjithë. Sportelet do të mbyllen, nuk do të ketë më asnjë zyrë për të trokitur fizikisht, por me shërbimet online trokitja do të shkojë direkt aty ku duhet. Kjo është një pikë e madhe kthese në luftën kundër korrupsionit.

Përveç kësaj, është dhe ligji, që për arsye apo mosarsye të z.Presidenti, që e ka kthyer në Kuvend, e kthen bashkëqeverisjen nga një mekanizëm, në një mekanizëm të mirë. Kjo do të thotë se kur qytetari aplikon dhe nuk i jepet përgjigje në kohë, atij i jepet e drejta të drejtohet në “Shqipëria.al” dhe të denoncojë faktin. Ligjërisht denoncimi i qytetarit shkon menjëherë në rrugën e zgjidhjes, për të gjitha rastet kur qytetari ka të drejtë dhe përgjegjësit sanksionohen. Ka dy lloj rrugësh për sanksione, ai që ka qenë aty gjithmonë, pra ndjekja penale apo administrative për ata që konstatohet se kanë penguar qytetarin me qëllim, dhe sanksioni financiar. Pra, me ligjin e ri për vonesat e shkaktuara padrejtësisht ndaj qytetarit, personat përgjegjës sanksionohen financiarisht, paguajnë nga rroga e tyre dëmin që kanë shkaktuar. Do të mbyllen edhe sportelet e kadastrës. Ne do t’i mbyllim sportelet, nuk do të ketë më sportele në Shqipëri, shërbimet do të merren nga telefoni, me postë, etj”, tha Rama.