Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i Japonisë, Takada Mitsuyuki, asisituan në kapjen e peshkut të parë ton që do të dërgohet për eksport në vendin e largët aziatik. Rama tha se sot ka nisur operacioni i madh i eksportit detar të Shqipërisë që do të ketë 27 destinacione, nga 3 që ka pasur në 2013.

“Nis sot operacioni më i madh i eksportit detar të Shqipërisë, i cili e përfshin edhe Japoninë në hartën e eksporteve shqiptare, që nga 3 vende në vitin 2013 sot ka plot 27 destinacione. Industria shqiptare e peshkimit tanimë është një industri konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe pas pesëfishimit të eksporteve të saj në dy mandatet e para, synojmë dyfishimin në mandatin e tretë”, shkroi kryeministri Rama në Facebook.

“Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në këtë dërgesë të parë nga Shqipëria për në Japoni. Ky është një shembull mjaft i mirë për sipërmarrësit shqiptarë”, tha ambasadori Mitsuyuki.

Sipas Ramës industria shqiptare e peshkimit tashmë është një industri konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe se synohet dyfishimi i eksporteve në mandatin e tretë. Më herët ai ka deklaruar se Shqipëria do të kthehet në një nga pikat më të mëdha në Mesdhe për rritjen dhe tregtimin e peshkut Ton në të gjithë botën, duke u kthyer kështu në një pikë kyçe në ekonominë globale për këtë produkt. Investimi kap vlerën e 10 milionë eurove dhe se akuariumet e peshkut Ton janë njëkohësisht, si kudo në ujërat mesdhetare edhe destinacion për turistët.