Punimet për lotin 1 të bajpasit Shkodër kanë përfunduar dhe i gjithë ky segment me gjatësi 4.8 kilometra tashmë është i hapur për lëvizjen e automjeteve.
Aksi është i pajisur me të gjithë elementët urbanë, trotuarë, korsi biçikletash, ndriçim dhe gjelbërim, duke shërbyer edhe si një pedonale për qytetarët shkodranë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky bajpas, i cili është hapur për qarkullimin e automjeteve.
“Mirëmëngjes dhe me bajpasin e Shkodrës ku tani është hapur për qarkullimin e automjeteve loti 1, ju uroj një fundjavë të mbarë”, tha Rama.
Bajpasi i Shkodrës nis në hyrje të qytetit dhe përfundon në dalje të tij duke u lidhur me segmentin Shkodër-Hani i Hotit.
Ky segment do të shërbejë për përdoruesit e rrugës të cilët kanë destinacion Doganën e Hanit të Hotit si dhe të gjithë rrethinave të Malësisë së Madhe duke evituar në këtë mënyrë hyrjen në brendësi të qytetit të Shkodrës.
Loti 2 i bajpasit do marrë zhvillim në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili do ta trajtojë si një shëtitore dhe si një lulishte të inkorporuar brenda zhvillimit të madh që ka marrë zona.