Pediatria e re e Tiranës është tashmë një spital më modern dhe miqësor me fëmijët, me standardet më të larta. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Pediatria e re e Tiranës, një investim i shumëpritur për shërbimin shëndetësor.

“Mirëmëngjes dhe me Spitalin e ri Pediatrik të Tiranës që do të hapet së shpejti, investim i shumëpritur që çon në një nivel të ri standardin e shërbimit mjekësor për të vegjlit, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Spitali i ri Pediatrik është pjesë e projektit të modernizimit të QSUT, bashkë me Spitalin e ri të Kirurgjisë që ka përfunduar dhe Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme.

Pediatria e re e Tiranës, një ndërtim modern që ka përfunduar është gati që me mobilimin dhe pajisjen të vihet në funksion të fëmijëve. Shërbimet përfshijnë reanimacionin pediatrik, me katër salla operacioni të gjitha sipas standardeve sa i përket shërbimeve pediatrike, ndërsa është rritur kapaciteti në 500 shtretër.

Ky investim i shërben jo vetëm Tiranës por gjithë Shqipërisë, pasi është një qendër reference që ofron shërbime të specializuara.