Prej fillimit të vitit 2019, më shumë se 111 mijë fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes, me mbështetjen direkte të qeverisë, përmes Programit të Mbrojtjes Sociale.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se kjo polikë sociale për të mbështetur familjet do të vijojë edhe përgjatë vitit 2022.

“40 mijë fëmijë të lindur këtë vit, kanë përfituar bonusin e bebes. Kemi mbështetur mbi 111 mijë fëmijë të lindur nga 2019, vit kur nisi programi universal i qeverisë dhe do të vijojmë mbështetjen për çdo të porsalindur me buxhetin 2022. Familja përfiton 40,000 lek për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 për fëmijën e tretë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Bonusi i bebes është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 dhe mbështet familjet e reja, pavarësisht statusit social-ekonomik.

Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, pa dallim nëse kanë lindur këtu apo jashtë vendit.

Prindërit e fëmijëve të sapolindur e tërheqin çekun e bebes në maternitetin ku ndodhen duke kryer regjistrimin e menjëhershëm të fëmijës, duke shmangur të gjitha vonesat dhe burokracitë që kanë ndodhur më parë.