Me një aksion të nisur që prej 4 muajsh, organizoi 27 ‘Foltore’ në të gjithë Shqipërinë, angazhoi të gjitha burimet e veta financiare, politike, familjare, mediatike vetëm që të arrinte sot në ditën ku do të tregonte të gjithë që demokratët ende e duan, që shqiptarët ‘mezi presin’ ta bëjnë Kryeministër. Rezultati? ‘Revolucioni’ i Berishës me vetëm disa mijëra ithtarë duket se fatin e tij e ka të parashkruar.

Në ato foto që Shqiptarja.com ka siguruar duket qartë se Berisha ka përdorur vetëm gjysmën e stadiumit për Kuvendin e tij. Gjysma e stadiumit i bie pak më shumë 11 mijë. Nga pamjet shikohet se një pjesë e mirë e vendeve në gjysmës së përdorur janë bosh, madje disa të mbuluara edhe me flamuj. Berisha dhe grupi organizator nuk kanë lejuar mediat të jenë brenda në stadium, duke e bërë të pamundur sigurimin e pamjeve dhe për të pasur një panoramë edhe më të qartë.

Në pamundësi për të verifikuar nga terreni shqiptarja.com komunikoi me burime nga brenda stadiumit që shprehen se në stadium nuk kanë qenë më shumë se 7 mijë persona.

Ky ‘revolucion’ i Berishës të ngjan fiks me ato dhjetëra tentative të Bashës për ta ‘rrëzuar’ Ramën nga sheshi. Basha i dështonin angazhimi se ‘kjo është dita e fundit e Ramës’ pikërisht se nuk mbulonte më shumë se gjysmën e Berishës. Nëse ish-Kryeministri do t’i kishte marrë delegatët dhe militantët e tij sot në shesh, pamjet do të ishin të njëjta.

Sot Berisha tregoi forcën e tij të vërtetë politike. 8 vite pasi shqiptarët i treguan rrugën, të njëjtin mesazh e ka marrë edhe sot, ‘një shuplakë’ edhe më të fortë!