Nga Ylli Pata

Thirrjet e Sali Berishës sot drejtuar njerëzve që ai ka thirrur për “Kuvend-Foltoren” e nesërme në Arena Kombëtare, konsistonte në kërkesën për veshjen trashë dhe të pelerinave për të duruar të ftohtin dhe shiun.

Të cilat janë fiks një pjesë së atmosferës apo metaforës së kontekstit të kryeveprës së Kadaresë: “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”

Jo thjeshtë se shiu i rrëmbyer i Shkodrës, ka qenë mjedisi që ka shoqëruar zanfillën e këtij romani tashmë bestseller shqiptar në të gjithë botën, por edhe lejtmotivi që shoqëron veprën në gojën e gjeneralit në ëndërr: “Atje bënte mot i keq dhe binte vazhdimisht shi…”.

E si personazhi butaforik i Kadaresë, gjenerali italian që kishte ardhur të mblidhte eshtrat e ushtarëve të rënë, edhe Sali Berisha ngjan shumë, pavarësisht në kontekst krejt të ndryshëm, me fabulën e misionit absurd të ushtarakut që drejtonte një ushtri të mundur.

E si për t’i dhënë një shkas kësaj metafore mjaft popullore në publikun shqiptar, Sali Berisha, thirrjen finale për pasuesit e tij e koncentroi te shiu dhe moti i keq.

Tani, mbi këtë temë mund të dalin qindra variacione se kush është Prifti e kush Beti, por atmosfera surreale edhe personazhet që përshkojnë fabulën e “gjeneralit modern” ngjajnë shumë.

“Armata çohu”, thërriste gjenerali në ekranizimin fantastik të Anagnostit në monologun e të madhit Bujar Lako, pas depresionit mbi dramën e eshtrave të Kolonelit “Z”.

E kjo armatë, edhe pse e gjallë fizikisht, politikisht ngjan shumë me ushtrinë në listat jo fort të përpikta të ministrisë italiane.

Pasi ka kontestim thuajse të përditshëm me anëtarët e Kuvendit, të cilët, si në listat e gjeneralit të Kadaresë dalin se nuk kanë lidhje me “ushtrinë e vdekur”.

Ndaj dhe duket se e gjithë beteja bëhet për eshtrat e Kolonelit “Z”. Po plaka Nicë? Duket se realisht nuk se është parë në këto zhvillime, ndaj dhe pritet epilogu i nesërm në stadiumin e madh të Tiranës…

TemA