Afro 8200 qytetarë të prekur nga Covid janë rimbursuar për trajtimin me medikamente. Sipas të dhënave të siguruara nga Tv Klan nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, që prej Nëntorit të vitit të kaluar mjekët e familjes kanë lëshuar receta për Covid për 8216 persona në formë të lehtë dhe të moderuar të sëmundjes. Nga financimi i qeverisë prej 1.2 miliard lekë për rimbursimin e trajtimit ambulator të pacientëve me Covid, është përdorur vetëm 3 % e shumës, apo e thënë ndryshe 34 mln lekë.

Receta e rimbursuar për Covid po jepet në dy raste, ne formën e lehtë vetëm me vitaminoterapi dhe atë të moderuar me antibiotik dhe hollues gjaku, por vetëm në rastet kur qytetari rezulton pozitiv me test për Covid-19.

“Rimbursimi për pacientët është i mundur me grupin e vitaminave dhe paracetamoli janë të aksesueshme nëse kanë marrë test dhe pcr pozitiv për Covid. Nëse ka sëmundje me të zgjatur dhe sëmundje bashkëshoqëruese dhe një gamë analizash ne sistemi sekondar vlerësojmë edhe për marrjen e medikamente si xarelto”.

Shqetësim për bluzat e bardha është marrja e antibiotikëve nga qytetarët pa u ndjekur nga mjekët.

“Përgjithësisht pacientët nuk presin analizat por vijnë dhe deklarojnë që kanë nisur antibiotik apo hollues gjaku që bie ndesh me mjekun”.

Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për forma e lehtë është 1650 lekë, ndërsa për formën e mesme është 10900 lekë. Aktualisht në Shqipëri janë mbi 5 mijë raste aktivë më Covid që ndiqen nga mjekët e familjes dhe vetëm 2,6 % e tyre janë të shtruar në spital.