Vetëm pak pasi komisioni për rithemelimin e Partisë Demokratike publikoi rezultatet e një dite më parë për shkarkimin e kreut aktual të PD, Lulzim Basha dha një mesazh për anëtarët e Kuvendit Kombëtar.

Ai i falenderon për kontributin duke u kujtuar se e di që këto ditë nuk kanë qenë të lehta pasi kanë qenë në presion, ndërsa thekson se duhet të vazhdojnë rrugën duke mirëkuptuar këdo që sot për shumë arsye ka mendime të tjera.

“Të nderuar anëtarë të Kuvendit Kombëtar, të dashur demokratë e demokrate!

Ju falenderoj me mirënjohje për kontributin tuaj, për angazhimin dhe përkushtimin për të ardhmen e Partisë Demokratike.

E di që nuk kanë qenë ditë të lehta për ju, e di që keni qenë nën presion, por më mirë se kushdo ju e dini se këtu nuk bëhet fjalë për fatin e një individi, por për fatin e PD-së.

Ne duhet të vazhdojmë rrugën tonë, duke mirëkuptuar çdo njërin prej nesh që sot, për shumë arsye kanë mendime të tjera, por askush nuk është i tepërt, të gjithë janë pjesë e familjes tonë. Unë kam dëgjuar çdo kritikë dhe natyrisht i mirëpres pa asnjë paragjykim, sepse ne të gjithë së bashku kemi vetëm një qëllim, një Parti Demokratike të fortë dhe rrëzimin e Edi Ramës.

Mirënjohje dhe respekt për secilin prej jush!”, mbyllet mesazhi i Bashës.