Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “në 4 vjet morën përgjigje mbi 50 mijë ankesa të adresuara në platformën e bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam””.
Kryeministri Rama vijoi turin e bashkëbisedimeve për ligjin e ri të “Bashkëqeverisjes”, në një takim në bashkinë e Lezhës.
Rama u shpreh se me këtë sistem bëhet një inovacion shumë të madh, ndërsa shtoi se ky sistem është në sfidë me mentalitetin.
“Platforma e bashkëqeverisjes u vendos në dispozicion qytetarëve si një inovacion dhe tejkalim i një sistemi të kahershëm që deri në atë moment ishte sistemi i mirënjohur i letrave të popullit në institucione dhe i zyrave për marrëdhëniet me publikun. Në vendin tonë, sidomos në periudhën e tranzicionit ka qenë e karakterizuar nga përplasja e ankesave të njerëzve në vesh të shurdhër dhe në tërësi problemet mbeteshin në kurriz të njerëzve”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “duke krijuar këtë platformë digjitale ne krijuam kushtet që ankesat të adresohen drejtpërdrejt në qeveri”.
“Një numër i konsiderueshëm ankesash morën përgjigje dhe zgjidhje. Janë mbi 50 mijë të tilla në 4 vite që kanë marrë përgjigje të drejtpërdrejtë. Një pjesë tjetër kanë marrë përgjigje joshteruese, sepse kanë qenë të lidhura me pushtete të tilla si sistemi gjyqësor dhe platforma nuk zgjidh probleme gjyqësore. Ndërkohë në një masë të konsiderueshme ankesat janë lidhur me pushtetin vendor, që në përgjithësi ka qenë shumë indiferentë ndaj këtij mekanizmi”, tha Rama.
Ndërkohë, kryeministri theksoi se “me fillimin e mandatit të tretë ne e kthyem këtë nismë në një ligj, i cili është kthyer mbrapsht nga zyra e Presidentit dhe do të rihyjë në Kuvend dhe do të votohet siç është”.
Kjo, sipas Ramës, do të bëjë që marrëdhëniet qytetar-administratë të jenë të ligjëruara në aspektin e detyrimit për ta trajtuar çdo ankesë të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Kryeministri shtoi se në ligjin e ri jo vetëm që sanksionohen të gjitha detyrimet e qeverisë, pushtetit ekzekutiv dhe bashkive për të dhënë përgjigje në kohë reale, sipas afateve të përcaktuara nga ligji, por ligji ka edhe një mekanizëm për vendosjen e sanksioneve financiare për ata që janë përgjegjës.
“Që ta nxisim këtë punë, ne do të mbyllim sportelet dhe kjo do të jetë shumë eficente. Sot
janë mbi 1200 shërbime që nuk kanë nevojë për prezencë fizike dhe bëhen online. Megjithatë janë disa shërbime që nuk bëhen dot në mënyrë të digjitalizuar, nga marrja e kartave të identitetit apo martesat. Por ato janë vetëm 5 % e shërbimeve. 95 % e shërbimeve janë pa nevojën e prezencës fizike”, tha Rama.
Kryeministri Rama deklaroi duke filluar nga janari 2022, do të mbyllen të gjitha sportelet për aplikime.
“Ne në 2022, duke filluar nga janari, do t’i mbyllim të gjitha sportelet, nuk do ketë më sportele në Shqipëri, për të shkuar e për të bërë aplikime”, tha Rama.