Një situatë delikate të epidemisë në vend, e konsideroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu këtë periudhë kur për shkak të festave të fundvitit rriten aktivitetet, ndërsa vijnë emigrantët nga shtete të ndryshme.
Për pasojë, Manastirliu tha ekspertët po vlerësojnë situatën, për masat që do të nevojiten, por nuk foli për shtim të masave kufizuese. Aktualisht, në Shqipëri është në fuqi ora policore 23:00-06:00, ndërsa maska është e detyrueshme në ambientet e mbyllura dhe në bare restorante dhe të ruhet distanca fizike.
Duke folur për kapacitetet për përballimin e pandemisë, Ministrja Manastirliu tha se do të vijojë rritja e kapaciteteve, duke mundësuar rritjen e përgjigjes ndaj rasteve urgjente dhe kapaciteteve spitalore ku përmendi investimin e ri të spitalit infektiv për ta kthyer në një qendër ekselence të sëmundjeve infektive.
“Jemi duke vlërëuar në dinamikë situatën dhe në ndërkohë po vijojmë me investimet në sektor për të siguruar Planin e Dimrit si dhe vazhdimit të rritjes së kapaciteteve qoftë sa i përket testimit dhe gjurmimit me shtimin e aparaturave të reja në ISHP, shërbimit të Urgjencës Kombëtare, ku një flotë e re prej 20 autoambulancash do të bëhet efektive brenda këtij viti duke mundësuar rritjen e përgjigjes ndaj rasteve urgjente si dhe kapacitetet spitalore, ku bëjmë të mundur dhe fillimin e investimit në spitalin infektiv, të një investimi mbi 4 milionë euro për ta fuqizuar e për ta bërë një spital modern dhe qendër ekselence të sëmundjeve infektive. Paralelisht pavionet e përgatitura në spitalet rajonale vijojnë të jenë në gjendje gatishmërie për t’ju përgjigjur çdo skenari të hapjes së tyre për trajtim të plotë të rasteve të pacientëve Covid”, tha Manastirliu.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer 2,253,886 vaksinime. Mbi 1 milion qytetarë janë vaksinuar dy doza, ndërsa mbi 124 mijë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anti Covid.