Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në festën e fundvitit me Forumin e Gruas së Partisë Socialiste, tha se për çdo sfidë që vendi ka kaluar kohë, përgjigja ka qenë një grua. Ai përmendi disa nga zonjat që në këto dy vite të vështira, me pandeminë dhe tërmetin, ishin në krye të detyrës, për t’i shërbyer çdo qytetari në nevojë.
“Kur shoh Luljetën, më kujtohen ditët e tërmetit. Por, në fakt ju njihni vetëm gjysmën e historisë sepse kur Luljeta dilte në televizor apo shkonte në shtëpitë e njerëzve për t’i qetësuar, vajza e saj, Lila, ishte inxhinierja jonë në terren, që merrej me kontrollin e shtëpive dhe pallateve të dëmtuara, që sot të siguroheshim që në vend që të merremi me bravat e një partie, të merremi me bravat e njerëzve, të japim çelësat e shtëpive të reja. Kur mendoj historinë e pandemisë, patjetër që më vjen nga zemra të flas për Ogertën. Por pastaj mendoj Mirën, Najadën, mendoj një ushtri vaksinatorësh, një ushtri infermierësh, një ushtri vajzash, grash, zonjash, zonjushash, që mbajtën edhe barrën më të madhe”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku iu përgjigj sot edhe disa portaleve, në të cilat ka qarkulluar lajmi për numrin e këshilltarëve në Bashkinë e Tiranës.
“Dëgjova një idiotësi për këshilltarët e bashkisë. Tre prej tyre, vajza të shkëlqyera, paguhen nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, por për çështje formaliteti duhet të vijë borderoja në bashki, që pastaj të marrin rrogën. Ato janë gra të shkëlqyera që kanë bërë qendra si “TUMO”, po mësojnë mijëra fëmijë se si të kodojnë, janë gra të shkëlqyera si ato që kanë bërë Agjencinë tonë të Rinisë. E filluan si këshilltare të paguara nga amerikanët, që i kalojnë në bordero të bashkisë, por sot kanë bërë gjërat më të bukura në këtë qytet. Unë jo vetëm që nuk e kam kompleks e nuk i fshihem kësaj, por jam super krenar për gocat tona. Këto gra i përgojojnë disa burra që paguhen si analistë 500 mijë lekë të vjetra, por të gjithë e dimë që janë gënjeshtarë, të gjithë e dimë që punojnë në të zezë dhe që paguhen nga lloj-lloj bandash e që vënë gjoba”, sqaroi Veliaj.
Në fund kreu i Bashkisë tha se viti që vjen do jetë shumë i rëndësishëm për Tiranën si “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022” dhe një mundësi e shkëlqyer për t’i treguar botës se kush është Tirana dhe Shqipëria.
“Viti tjetër është një vit shumë special. Është një vit ku Tirana është “Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Ndaj, dua t’ju ftoj që këtë vit të rinisë ta shfrytëzojmë si një mundësi fantastike për të prodhuar një kartolinë “Made in Albania”, “Made in Tirana”, dhe për të treguar që pavarësisht se s’jemi perfekt, jemi shumë më mirë se çfarë mendoni dhe ta kurojmë këtë imazh të Shqipërisë ashtu si një nënë kuron plagën, apo sëmundjen e një fëmije, ta kurojmë këtë plagë që pa dashjen tonë na ka mbetur ndër vite”, përfundoi Veliaj.