Tirana ka strehuar plot 500 familje të cilave tërmeti i 26 nëntorit ua shkatërroi shtëpitë, ndërsa 100 të tjera do të hyjnë në Lagjen “5 Maji” e cila po rindërtohet nga e para dhe është projektuar nga arkitekti italian Stefano Boeri. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh në një intervistë për Klan News se procesi i Rindërtimit vijon me hapa të shpejtë që sa më shumë familje të festojnë këtë Vit të Ri në banesa të reja.
“Ne kemi mbaruar me rreth 500 shtëpi që janë banesa individuale, tip vileta 1+1, 2+1, apo 3+1, një numër i jashtëzakonshëm që është kryesisht pjesa rurale. Një pjesë tjetër ka preferuar që t’i marrë paratë cash, kështu që edhe për këto familje kemi bërë disbursimin. Ndërkohë që ne të hënën hedhim shortin për 100 familjet e para që marrin shtëpitë tek “5 Maji”, një lagje e dizenjuar nga Stefano Boeri, që, në Milano njerëzit ëndërrojnë të marrin një shtëpi tek pallatet e Stefano Boerit, ne ndërkohë po i japim falas për ata që janë dëmtuar nga tërmeti,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku e bëri këtë deklaratë menjëherë pas ndezjes së dritave të pemës së Krishtlindjeve në kryeqytet e cila ka ndezur edhe atmosferën e festave të fundvitit.
“Është moment që të festojmë! Këto dy vite kemi mësuar që jeta është më e rëndësishme, dashuria është më e rëndësishme, të qënit pranë njërit tjetrit është më e rëndësishme. Dhe unë besoj fort që këtë fundvit pas një viti të vështirë të tërmetit, të pandemisë, një viti të rindërtimit dhe vaksinimit ka ardhur koha që të festojmë, të shijojmë jetën, të shijojmë familjarët tanë, të përqafohemi me njëri-tjetrin dhe të kuptojmë që ka shumë gjëra që na bashkojnë krahasuar me gjërat që na ndajnë,” vlerësoi Veliaj.