Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh për tragjedinë e “21 Janarit”, teksa sot përkujtohet 11-vjetori i katër viktimave të vrara në bulevard.
Në një komunikim live në rrjetet sociale, Rama vuri theksin te Reforma në Drejtësi, duke theksuar se ai dhe kjo shumicë qeverisëse e kanë shlyer pjesën e detyrimit që iu takon për dëshmorët e “21 Janarit”.
Sipas kreut të qeverisë, Reforma në Drejtësi është një gur themeli për drejtësinë shqiptare të munguar në 100 vite.
“Unë sinqerisht besoj se ne e kemi shlyer atë pjesë të detyrimit që na takon me dëshmorët e “21 Janarit”. Këtu e kam fjalën për Reformën në Drejtësi, e cila përgojohet përditë nga kundërshtarët e saj, që denigrohet përditë nga armiqtë e saj, që përbaltet dhe masakrohet përditë foltore më foltore, bravë më bravë, çadër më çadër, klub më klub, sallon më sallon, por që është pa dyshim guri i themelit të munguar prej 100 vjetësh në këtë shtet, ku drejtësia s’ka qenë kurrë e drejtë, kurrë e barabartë dhe kurrë drejtësi, por ka qenë ose një gur në duart e pushtetit për të vrarë e sakatuar njerëz, në dac para komunizmit, në dac pas komunizmit. Për herë të parë, duan s’duan ata, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar, është vënë një gur themeli për drejtësinë në Shqipëri. Këtë gur e ka vënë kjo shumicë qeverisëse, kjo parti në pushtet, nën drejtimin tim, dhe pa diskutim në bashkëpunim me aleatët tanë strategjik. E ardhmja e drejtësisë për herë të parë nuk është blozë, siç ka qenë para komunizmit, gjatë komunizmit dhe pas komunizmit, deri ditën kur më në fund erdhi në qeveri një parti, PS. Jam shumë krenar ta sjell këtë togfjalësh, PS, sidomos kur flas për Reformën në Drejtësi, që mori përsipër të vendosë këtë gur themeli dhe pas një përpjekjeje të madhe kjo reformë kaloi në Parlament”, tha Rama.