Nga Mero Baze
Në fillim vitin e 1999, kur bota po merrej me Kosovën dhe rrezikun e konfliktit aty, pastaj me Konferencën e Rambujesë, e më pas me bombardimet, Sali Berisha ishte politikani më i izoluar në Tiranë, për shkak të krizës së tij të thellë me SHBA prej vitit 1997, krizë që kishte depërtuar dhe në raportet e tij me qeveritë europiane. Ishte i izoluar dhe nuk e ftonte askush as për kafe.
Në përpjekje për t’u bërë interesant, ndërkohë që zhvillohej Konferenca e Rambujesë, ai filloi të fliste nga Tirana përditë se si duhej të zgjidhej ajo çështje, duke i kërkuar delegacionit shqiptar në Rambuje për pesë ditë radhazi, nga data 18 deri më 23 shkurt 1999, të mos nënshkruante. Arsyeja sipas tij ishte se Konferenca e Rambujesë, ishte kundër pavarësisë së Kosovës.
Nuk është se Berishën e pyeste kush, as në Rambuje, as në Kosovë, pasi ata që ai i quante aleatë në delegacion, Ibrahim Rugovën dhe Bujar Bukoshin, ishin pro nënshkrimit dhe kundër Berishës.
Problemi që krijonte deklarata e Berishës ishte se ai ishte i vetmi zë në gjuhën shqipe, që dilte jashtë kornizës së Grupit të Kontaktit që kishte thirrë Konferencën e Rambujesë.
Korniza e Grupit të Kontaktit ishte një prani ndërkombëtare në Kosovë, një marrëveshje për paqe e mbikqyrur nga prania ndërkombëtare dhe pas tri vitesh, një referendum për vetëdeklarim.
Hezitimet e Hashim Thaçit brenda Konferencës ishin brenda kësaj kornize, pra ishin të menaxhueshme, kurse kundërshtitë e Berishës nga Tirana, ishin për ta hedhur në erë gjithë kornizën e Grupit të Kontaktit, pra të anulonin konferencën. Por kjo është sikur ai të merrej në konsideratë. Ai në fakt nuk përfillej.
Disa javë më vonë Konferenca mbaroi dhe nisën bombardimet. Ai ishte përsëri i izoluar dhe çdo ditë “jepte ide dhe mendime”, se si mund të fitohej lufta me “mortaja supi”, me armatime të lehta apo të rënda, që në tërësinë e tyre nuk rrezatonin potencialin e tij ushtarak, por izolimin e tij, degradimin mendor, dhe nevojën që të bëhej i rëndësishëm në këtë luftë botërore, kur atë nuk po e pyeste askush.
Mu kujtua sot kjo skenë, ndërsa njeriu i shpallur familjarisht në “Listën e zezë” të SHBA për korrupsion domethënës dhe minim të demokracisë në vend, po i jepte mend Shqipërisë, NATO -sdhe amerikanëve, se si ne të furnizojmë me fishekë Ukrainën. E thoshte me aq tërsëllimë, a thua qe SHBA, që kontrollon ushtrinë shqiptare dhe politikat e saj, NATO dhe vetë Shqipëria, po punojnë për Rusinë dhe jo Ukrainën.
Fiksimi tjetër pastaj pse pikërisht duhet t’u japim fishekë e jo gjë tjetër, vjen nga ideja që ai dhe i biri kanë të lidhur me fishekët e ushtrisë sonë, historinë më korruptive që ka shkaktuar 26 të vrarë e 300 të plagosur në Shqipëri, vetëm për të fituar ata si familje ca para.
Njeriu i cili është anti-amerikani më i famshëm i Shqipërisë në Tiranë, donte të dukej anti-rusi më i famshëm në Kiev. Është shumë qesharake si skenë ta mendosh, po të futesh në trurinë e sëmurë të këtij njeriu, i cili me lehtësinë me të cilën gënjen trushpëlarët e vet, kur u flet në Patos se si “një biznesmen nga Ballshi, i lidhur me Bashën, paguhet nga Sorosi që t’u prishë atyre shtëpitë”, me po atë lehtësi gënjen dhe veten, kur mendon se në Kiev, ndonjë gjeneral amerikan do dëgjojë çfarë ka thënë ai në Tiranë dhe do t’i telefonojë Biden t’i thotë, “paskemi një anti-rus të madh në Tiranë”.
Përevçse banale, është dhe e dhimbshme se si katandiset një njeri që mund të vdiste i qetë në shtëpinë e vet, pa qenë nevoja të turpërohej në pleqëri. Por ja që zotit nuk i mungon koha të të turpërojë ende pa vdekur.
Mjafton të shikoje skenën tragji-komike sot në Kuvend, ku njeriu që ka 4 muaj që nuk ka shkelur në Kuvend, nga sikleti që ka me Lulzim Bashën, hyri në Kuvend dhe po “shpaloste” një plan për të shpëtuar Ukrainën, dhe e kupton se çmimin që paguan ndonjëherë prej Zotit, nuk e paguan para asnjë salle ku jepet drejtësi në botë.
Përpjekja dëshpëruese tragji-komike e Sali Berishës, për t’u dukur anti-rus në konfliktin me Ukrainën, me shpresë se një Amerikë tjetër do t’i gjendet pranë në Tiranë, është fiks ëndrra torturuese me të cilën ai meriton të ikë nga kjo botë, pa e parë kurrë me sy hapur.