Ashpërsohet konflikti brenda Partisë Demokratike. Teksa ish-kryeministri Sali Berisha ka kërcënuar me mësymje më 8 janar në selinë blu dhe marrjen e saj me dhunë, kreu i PD, Lulzim Basha po i kujton bëmat ish-shefit të tij. Ky i fundit dhe mbështetësit e tij kanë nisur një ofensivë kundër Bashës, ndërkohë që edhe kryedemokrati po iu përgjigjet “flakë për flakë”.
Deputetëve demokratë iu është dërguar një mesazh në celular nga Partia Demokratike, ndërsa në emër të zotit Basha, vihen në dukje të gjitha të zezat e Berishës. Gazeta ‘Sot’ e ka siguruar këtë mesazh, ku shefi i PD akuzon ish-kryeministrin Berisha si një politikan mashtrues dhe hipokrit që gjithë këtë luftë po e bën për hallin e tij personal.
Sipas Bashës, koha e Berishës ka mbaruar dhe se ish-lideri demokrat është autori i shumë ngjarjeve të bujshme, duke filluar nga “21 Janari” dhe “Gërdeci”, deri tek thyerja e embargos së naftës me ish-Jugosllavinë dhe skandali me firmat piramidale gjatë vitit 1997.
“Është Sali Berisha zonja e zotërinj, ai i çadrave pistoletë dhe thikave me helm në 21 janar. Është i njëjti që nuk njihte baxhanakun e tij që çmontonte predha me fëmijë, në “aksidentin teknologjik” të Gërdecit, me 26 të vrarë. Është Sali Berisha i kontrabandimit të naftës për tanket Millosheviçit sepse siç do thoshte më vonë nuk mund të linte pa ngrohje kosovarët. Është Sali Berisha që i shtrëngonte dorën Alimuçës e Sudes për të thënë më pas lekët tuaja janë 100 % të sigurta”, thuhet në mesazh.
Më tej në mesazhin që iu ka shkuar deputetëve demokratë nga selia e Partisë Demokratike, kreu i PD, Lulzim Basha akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se është mashtrues dhe komplotues. “Është Sali Berisha që për 30 vite tha se nuk kishte takuar kurrë Enver Hoxhën, por më pas thoshte se shkonte në ditëlindjet e familjes Hoxha dhe kishte më shumë foto me anëtarë të byrosë sesa me familjen e tij. Etj, etj. Komploti i Iluminatit të Alfred Çakos është një shaka para Sali Berishës”, thuhet në mesazh.
Po ashtu, zoti Lulzim Basha akuzon ish-kryeministrin Berisha se është një politikan që i pëlqen të përhap panik, sikundër ishte pretendimi i tij se në selinë blu kishte efektivë të policisë.
“Ai zbuloi banda të armatosura në PD. Pastaj gardistë e RENEA në tarracë (kur ishin veçse ca 20 vjeçar që pinin cigare për qejf pas një dite të lodhshme). Më pas zbuloi tetovarë me mjekër e vehabistë të ardhur posaçërisht për të vrarë e prerë. Po, po! Sot vendosjen e ca adesivëve blu i mori për dyer të blinduar”, shkruhet në mesazh.
Nga ana tjetër sipas asaj që thuhet në mesazhin që iu ka mbërritur në celular deputetëve demokratë, Basha e cilëson Berishën paranojak. “Sali Berisha do të ishte një skenarist i mirë filmash hollivudian. Ai ka një prirje të jashtëzakonshme për zhanrin thriller të përzier me teknikën e rrëfimit të realizmit magjik. Në 3 muajt e fundit ka zbuluar komplotin e Soros, Blinken, Basha, e shumë personazhe të tjerë për marrjen e vulës “non grata” familjare për korrupsion domethënës nga SHBA. Tablotë sinotikane të Enverit për armiq të brendshëm dhe të jashtëm janë amatoreske përpara shtjellimeve imagjinare të doktor Gënjeshtrës”, thuhen në mesazhin për deputetët që iu ka dërguar selia e PD. /Marre nga Gazeta Sot