Blerja e Romelu Lukakut për gati 100 milionë stërlina në verë supozohej se do ta bënte Chelsea-n skuadrën favorite për të fituar titullin kampion në Premier League.
Mirëpo sulmuesi belg nuk ka pasur ndikimin që pritej në “Stamford Bridge, duke shënuar pesë gola në një sezon ku është ndalur edhe për arsye dëmtimesh.
Tashmë skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel gjendet 10 pikë larg Manchester City-t, por ka luajtur një ndeshje më shumë. “Big Rom” është ende sulmuesi më i mirë i klubit këtë sezon, por blutë kanë në pronësi një sulmues tjetër që ka shënuar aq sa Lukaku në Premier League. Në vend që të shkëlqejë në “Stamford Bridge”, ai po bie në sy në bregun jugor (Southampton).
Kështu e nis një artikull të gjatë BBC, kushtuar Armando Brojës. Një produkt i akademisë së famshme të “Bluve”, Armando Broja po shijon momentin i huazuar te Southamptoni. 20-vjeçari ka shënuar pesë gola në 18 paraqitje, lojtari më i ri që ka arritur këtë shifër në sezonin aktual të Premier League-s.
I çmendur pas futbollit, që kur ishte fëmijë, duke parë klipet e legjendës braziliane, Ronaldo “Fenomeni”, Broja po jeton ëndrrën e tij në skenën e madhe, pasi u shfaq si një nga talentet e spikatura të sezonit.
I lindur në Slough nga prindër shqiptarë, futbolli ka qenë pjesë e jetës së Brojës prej kohësh. Ai luante rregullisht me kushërinjtë, mamanë dhe tezen në park, kur ishte i vogël.
Ndërkohë që ishte pjesë e ekipeve të të rinjve të klubeve profesionale, babai i tij e merrte në seanca stërvitore shtesë, një me një, pasi mbaronte punën. Broja që kur ishte fëmijë (në moshën gjashtëvjeçare) kishte ambicie të luante me më të mirët.
“Shkova për provë te Reading,” – do të deklaronte Broja në një intervistë të vitit 2019. – “Aty shkoi mirë dhe më pëlqeu, por në atë kohë po kërkoja një klub më të madh”.
Pasi kaloi një periudhë e shkurtër në akademinë e Fulhamit, u pikas nga një skaut i Tottenhamit, teksa po luante në një turne me skuadrën e tij lokale, Burnham Juniors.
“Ai (skauti), në fakt, erdhi për të parë një lojtar tjetër në ekipin tim, por unë u shpalla lojtari i turneut dhe më mori mua në vend të tij, kështu që shkova tek Tottenhami dhe firmosa për këtë skuadër”, – shpjegon Broja.
Por dëshira e djaloshit shqiptar ishte tjetër: si një tifoz i madh i Chelsea-t, do të bënte gjithçka që mundej për të rënë në sy, sa herë që dy klubet londineze luanin me njëri-tjetrin.
“Ne u përballëm shpesh me Chelsea-n dhe ata më pëlqyen si lojtar. Atëherë u bashkova me akademinë e tyre”, – tregon më tej Broja.
I frymëzuar nga Ronaldo, i ndihmuar nga Flo
Ashtu si shumica e lojtarëve të rinj, Broja është frymëzuar nga një numër lojtarësh që i ka parë teksa po rritej. Një nga kujtimet e tij më të hershme te Chelsea ishte të shihte Didier Drogbanë të shënonte, ndërsa babai i tij i tregonte video të legjendës braziliane, Ronaldo “Fenomeni”.
“Ai ishte thjesht një lojtar i pabesueshëm. Kam parë shumë klipen të tij. Ishte i fortë, i shpejtë me të dyja këmbë, kishte gjithçka. Ky është ai që unë aspiroj të jem.”
Broja iu bashkua Chelsea-t në vitin 2009 dhe kaloi 11 vitet e ardhshme duke ngjitur shkallët në këtë klub.
Pasi shënoi 18 gola në 30 paraqitje me skuadrën e të rinjve në sezonin 2019-2020, iu ofrua kontrata e tij e parë profesionale në shkurt 2020. Më 8 mars debutoi me skuadrën e parë në moshën 18-vjeçare, nën drejtimin e Frank Lampard, duke u aktivizuar në katër minutat e fundit në fitoren 4-0 kundër Evertonit.
Ashtu si shumë të tjerë para tij, Broja u dërgua më pas për të fituar më shumë përvojë te Vitesse në formë huazimi për një sezon, me ish-sulmuesin e Chelsea-t, Tore Andre Flo, i caktuar si mentori i tij gjatë përvojës jashtë Anglisë. Të dy bisedonin rregullisht, ndërsa Broja ishte në Holandë. Flo e këshillonte pas çdo ndeshjeje.
Lëvizja rezultoi e suksesshme, pasi ai shënoi 11 gola në 34 paraqitje, duke e bërë atë një nga adoleshentët më të mirë në ligat kryesore të Evropës.
Broja e ka kaluar të gjithë jetën në Angli, por me prindërit dhe pjesën më të madhe të familjes së tij nga Shqipëria, zgjodhi të përfaqësonte vendin e origjinës. Vendimi i tij mund të jetë ndikuar edhe nga fakti se nuk ka pasur ndonjë interes nga Anglia në nivelin e të rinjve, kështu që në maj 2019 u thirr për skuadrën e Shqipërisë U-19.
Broja shënoi që në debutim në fitoren 3-1 ndaj Kosovës në miqësore (realizoi golin e tretë). Një muaj më vonë, u bë pjesë e U-21, duke lënë përsëri përshtypje të menjëhershme me një dygolësh në debutim në fitoren 2-1 përballë Uellsit, pasi hyri si zëvendësues në pjesën e parë.
Përparimi në nivel ndërkombëtar i Brojës ishte sa mbresëlënës aq edhe i shpejtë. Tani numëron 10 ndeshje në nivel të lartë dhe ka shënuar tre gola gjatë kualifikueseve të Kupës së Botës, duke përfshirë golat në fitoret 1-0 kundër dy herë finalistëve të Kupës së Botës, Hungarisë.
Në fluturim te “Shjenjtorët”
Pasi shijoi një sezon të plotë në një kampionat elitar (Vitesse), Broja ishte gati për më shumë. Me pak gjasa për të gjetur hapësira tek skuadra e parë e Chelsea-t, shfrytëzoi mundësinë për t’u bashkuar me Southamptonin në formë huazimi, për të fituar më shumë minuta në nivelin e Premier League-s. Duke pasur parasysh gatishmërinë e Ralph Hasenhuttl për t’u dhënë një shans të rinjve, kjo lëvizje rezultoi e suksesshme. Broja, bashkë me të riun tjetër Livramento, por shkëlqejnë te “Shenjtorët”.
Pas një fillimi të ngadaltë, Broja shpërtheu nën urdhrat e Hasenhuttle dhe tashmë numëron 10 gola në 25 paraqitje për klubin anglez dhe Kombëtaren Shqiptare. Forma e tij në një fazë bëri që disa tifozë të Chelsea-t të bënin thirrje që ai të kthehej nga huazimi për të sfiduar Lukakun dhe Timo Wernerin për vendin e titullarit në sulm.
Ai bëri përshtypje edhe kundër Manchester City-t, të shtunën, duke treguar aftësitë e tij në finalizim, por që për fat të keq ishte në pozicion jashtë loje. Southamptoni dëshiron të blejë kartonin e Brojës, por një lëvizje e tillë, të paktën në afat të shkurtër, do ta bënte që tifozi i përjetshëm i Chelsea-t të mos ndiqte ëndrrën e tij për të shkëlqyer në “Stamford Bridge”. Ditët e ardhshme mund të rezultojnë shumë të rëndësishme për karrierën e re të Armando Brojës.