Përfaqësuesi i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell i ka përçuar si rrallë herë një mesazh të qartë Serbisë për dialogun me Kosovën gjatë konferencës për shtyp në përfundim të Këshillit të MSA-së BE-Serbi. “Ne vlerësojmë, gatishmërinë e Serbisë për t’u angazhuar në dialog. Duhet një progres i shpejtë për dialogun për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme dhe të ecim përpara me marrëveshje të detyrueshme gjithëpërfshirëse ligjore” është shprehur Borrell”.
Shefi i diplomacisë europiane ka vijuar më tutje: “Ne presim që Serbia dhe Kosova të bëjnë progres lidhur me detyrimet e tyre në kuadrin e dialogut Prishtinë-Beograd. Të dyja palët kanë marrëveshje të pazbatuara, që duhet tashmë të adresohen. Është e rëndësishme që të krijohet klima e duhur për dialogun dhe të dyja palët të frenohen nga çështjet unilaterale apo aksione të pakoordinuara, ose retorikë e tillë. Borrell ka qenë shumë i qartë në mesazhin për rrugëtimin e Serbisë drejt Bashkimit Europian: “Hapi i Serbisë në rrugën e integrimit europian do të varet nga forcimi i shtetit ligjor, i të drejtave themelore dhe dialogu me Kosovën”.
Borrell ka përçuar një mesazh të drejtpërdrejt edhe për retorikën nacionaliste, ndezëse në Bosnjë-Hercevoginë, që ka shkaktuar shqetësimin e Bashkimit Europian: “Nuk ka vend në Europë për mohimin e genocideve. Nuk ka vend pêr glorifikimin e krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës, tolerimin apo mbështetjen publike të atyre që mohojnë genocidet, glorifikojnë krimet e luftës apo atyre që cënojnë integritetin territorial dhe bashkimin e vendit të tyre. Këto jo vetëm cënojnë stabilitetin politik të rajonit, por nuk përputhen me vlerat evropiane”, është shprehur Borrell.
Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, ka përshëndetur reformën e Kushtetutës në Serbi, që sipas tij duhet të rezultojë në forcimin e gjyqësorit. “Eshtë e rëndësishme të ruhet momentumi për reformat kyçe, përfshirë shtetin ligjor dhe lirinë e shtypit. Këto reforma nuk janë të rëndësishme për të na kënaqur ne në Bruksel, por për mirësimin e jetës së qytetarëve të Serbisë”, ka nënvizuar Borrell.
Shefi i diplomacisë europiane ka vlerësuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe kontributin e lartë cilësor te Serbisë në misionet e Bashkimit Europian. Borrel ka vlerësuar hapat e fundit që ka bërë Serbia për t’u njehsuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian, duke cilësuar “Shpresojmë që këto hapa të ndiqen nga aksione konkrete”.