Përmes një komunikimi online, Kryeministri Rama e ka konsideruar dhunën në selinë e PD si një ngjarje të rëndë e të paprecedentë jo vetëm për demokratët, por për Shqipërinë dhe ngrehinën institucionale të vendit.

Sipas Ramës, nuk ka ndodhur kurrë në asnjë vend të botës që selia e një partie opozitare të sulmohet me dhunë nga mbështëtës të vetë opozitës, por ky akt ekstrem për të si drejtues i mazhorancës nuk është i mirëseardhur sikurse mund të mendojë kushdo. Kjo sepse sipas Ramës, dhuna dëmton kulturën institucionale të vendit, përveçse opozitën.

“Një lajm krejt befasues, sa i rëndë aq edhe qesharak që në një vend demokratik të sulmohet me dhunë selia e opozitës nga vetë mbështetësit e saj. Nuk i vë faj kujt mendon se është e mirëseardhur në aspektin cinik të politikës, por një zhvillim i kësaj natyre dobëson kundërshtarin politik, por edhe godet gjithë shoqërinë, gjithë ngrehinën e kulturën politike. Përbën realisht një problem në kukturën politike e cila dje ka marrë një goditje të tmerrshme. Kjo shkon përtej dobësimit të një kundërshtari politik, dëmton ngrehinën institucionale të këtij vendi, dëmton institucionin demokratik, dëmton opozitën patjetër, por dëmton edhe gjithë kornizat institucionale të vendit”, tha Rama.

Ngjarja e rëndë sipas Ramës është meritë e dy personazheve, Bashës dhe Berishës, që ai i konsideron gjysma të së njejtës mbetje politike, pa vizion për të ardhmen dhe gati për të sakrifikuar gjakun e demokratëve në lojën e tyre për marrjen e kështjellës.

“Dhe kjo patjetër është meritë e dy personazheve pa asnjë vizion e projekt ardhmërie po vetëm me akuza ndaj njëri tjetrit se kush është shërbëtori im. Pikë e zezë. Janë e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë, mbetje politike e asaj partie, për arsye të ndryshme e pariciklueshme në funksion të së ardhmes. Të dyja kufomat politike që e kanë marrë peng partinë ishin të gatshëm për të vazhduar deri në fund lojën e marrjes së kështjellës me gjakun e demokratëve”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi rolin e policisë së shtetit, e cila për herë të parë është sfiduar nga një ngjarjeje me potencial gjakderdhjeje në oborrin e një partie.