Intervistë interesante e Angel Di Maria në faqen zyrtare të Paris Saint-Germain. Futbollisti argjentinas është rikuperuar nga Covid-19 dhe duket gati të rikthehet për të luajtur me ekipin e tij. “El Fideo” foli për kushtet e tij, por edhe integrimin e bashkëkombësit Lionel Messi në skuadrën pariziene.

“Në fakt ndihem mirë. Fatmirësisht nuk pata simptoma (për Covid), thjesht prita në shtëpi ditët për t’u rikthyer në stërvitje. Ndeshja ime e fundit e plotë më duket se ka qenë më 22 dhjetor. Gradualisht ndihem më mirë, kam më shumë ritëm dhe kjo është e rëndësishme”, – tha Di Maria.

Më pas, duke u ndalur tek objektivat e skuadrës për këtë sezon, shtoi: “E nisëm me ide të qarta dhe synimin për t’i fituar të gjithë trofetë. Në kampionat kemi një avantazh të mirë, por niveli i të gjitha skuadrave është rritur shumë. Duhet të punojmë gjithmonë dhe të japim 100%, sepse rezultatet do të vijnë”.

Disa fjalë edhe për rëndësinë e integrimit të mirë në grup të Messit. Di Maria hodhi një paralele mes mbërritjes së tij dhe të Messit te PSG: “Kur mbërrita këtu ishte thelbësore të kisha njerëz si Pastore, Pocho, Marco, Ibra, Maxwell, Thiago Motta që më ndihmuan të ambientohesha. E njëjta gjë ndodhi me Paredes së fundi dhe tani edhe me Leon.

Më e rëndësishmja është ta bëni atë të ndihet rehat. Të luajturit me të tek Argjentina më ndihmon, por deri në një pikë të caktuar, sepse duhet të marrësh parasysh të gjitha lëvizjet e tjera të shokëve të skuadrës. Në çdo rast, çdo lojtar nevojitet të përshtatet në mënyrën e duhur”.