Tamara në Malësinë e Kelmendit, një nga zonat më të bukura të Alpeve shqiptare, falë investimeve të rëndësishme infrastrukturore është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik.

Kryetari i bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj tha për ATSH-në, se mbi 45 mijë vizitorë vendas e turistë të huaj kanë vizituar Tamarën gjatë vitit 2021.

Marinaj theksoi se, “deri dje, ajo çka prezantonte Tamara ishte vetëm një mrekulli natyrore. Por sot investimet në kuadër të Programit të Rilindjes Urbane, e kanë shndërruar atë një destinacion turistik të zhvilluar në përshtatje me arkitekturën tradicionale”.

Sipas tij, kjo zonë ka potenciale për zhvillimin e sporteve dimërore, kampingje me çadra, si dhe struktura për shërbime agroturistike.

“Investimet dhe bizneset që po zhvillohen në rajonin verior të vendit, po transformojnë jetën e komuniteteve, po rrisin turizmin, agropërpunimin dhe fermat organike, duke e bërë Tamarën të frekuentuar çdo stinë të vitit”, tha Marinaj, teksa vuri në dukje se, edhe në këtë vit prioritet mbetet investimi në infrastrukturë.

Tamara, 235 m mbi nivelin e detit, është një fshat malor i vendosur në një gropë të thellë rreth 1000 metra poshtë majave të maleve. Shtrihet buzë lumit Cem që i jep një pamje magjepsëse.

Tamara ndodhet rreth 46 km nga Kopliku dhe është pjesë e njësisë administrative Kelmend.

Vitet e fundit Tamara është ndër destinacionet kryesore në turizmin malor shqiptar. Rruga që të çon drejt Tamarës, përveç infrastrukturës moderne, të ofron edhe një pamje mahnitëse të “Leqeve të Hotit” dhe “Ballkonit të Enverit”.

Gjithkujt që viziton Tamarën i jepet mundësia të shijojnë qendrën e restauruar të fshatit me pedonalen dhe ndërtesat prej guri, si dhe të shijojnë ushqimet tradicionale të zonës, veçanërisht troftën e egër të lumit Cem.

Në këtë fshat rrallë zë bora, ndonëse vendbanimi është në thellësi të maleve. Këtë gjë e tregon edhe bimësia, kryesisht mesdhetare me sherbelë e trumzë dhe dushqe të ndryshme, duke munguar ahu dhe pisha si drurë karakteristikë për luginat alpine, që janë një burim i çmuar të ardhurash për banorët e zonës që merren me bimët mjekësore.

Temperaturat e freskëta, ajri i pastër, natyra e mrekullueshme, ushqimet bio të zonës dhe kushtet e mira akomoduese janë një arsye më shumë për të vizituar Tamarën, në çdo stinë të vitit.