Izraeli është bërë shteti i parë në botë që ofron dozën e katër të vaksinës kundër koronavirusit për personat mbi 60 vjeç dhe punëtorët shëndetësorë.
“Tani kemi një tjetër shtresë mbrojtëse”, ka thënë kryeministri izraelit, Naftali Bennet më 2 janar.
“Izraeli do të jetë edhe një herë në krye të përpjekjeve globale për vaksinim”.
Më 30 dhjetor 2021, Izraeli ka autorizuar dhënien e dozës së katërt të vaksinës për personat me sistemit të dobët imunitar.
Izraeli ka qenë vendi i parë që ka ofruar edhe dozën e tretë të vaksinës për popullsinë e përgjithshme, vendim që është ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende në Evropë.
Një numër shtetesh janë duke shqyrtuar mundësinë e ofrimit të dozës së katërt për personat më të moshuar apo ata me imunitet të dobët, teksa shtohen të dhënat se efikasiteti i vaksinës bie pas një kohe.
Varianti Omicron i koronavirusit ka çuar në rekord të rasteve të infektimit në botë, ndonëse të dhënat e para tregojnë se ai shkakton simptoma të lehta dhe më pak vdekje, në krahasim me variantet tjera.
Megjithatë, vaksina janë ende shumë efektive në parandalim të shtrimit në spital dhe vdekjeve nga ky virus./ REL