Nga Klaudia Malaj/
Për më shumë se 100 ditë nuk kemi mundësi të flemë të qetë prej zhurmës së “yjeve” të rënë në Kashar. Meteorëve që lëshuan zjarr dhe zjarr vetëm dinë të marrin kur nuk u pëlqen fytyra e tjetrit e “mirëmëngjesit” apo e çdo vakti.
Përshkrimi i reality show-t është: “një program televiziv në të cilin njerëzit e zakonshëm filmohen vazhdimisht, i krijuar për të qenë argëtues dhe jo informues.”
Nuk thotë torturues, siç është shndërruar për ata që nuk duan ta ndjekin, por, përhapja është aq e madhe sa hyjnë edhe nga vrimat e mbyllura.
Nuk thotë, “me pullë të kuqe” siç është shndërruar suita e të përvëluarëve të shekullit. Intimiteti është kryesori mes një çifti, por kot nuk është private. Tani gjithçka u bë publike, të sheh edhe mami dhe babi kur zgjedh të kënaqësh epshet e tua dhe të tjetrit.
Jemi në një show ku gjithçka thonë “u bë për lojë” dhe vetëm nervat nuk janë lojë.
Nuk është vetëm ky problemi më i madhë, por më i madh është dhuna që po u bëhet publikut nga transmetimi pakriter i paraqitjes së këtyre realiteteve aty brenda, që në familjet tona asnjë sjellje e tyre nuk është normale.
Në epokën e transmetimeve dixhitale dhe të rrjeteve sociale, të cilat u krijuan për t’i bashkuar njerëzit, sot po i ndanë dhe po i shkatërron. Sot, Facebook, Instagram, TikTok, dhe shumë të tjera, janë një gënjeshtër. Aty askush nga ne nuk nxjerr momentet e trishta, por vetëm të lumturat. Askush nga ne nuk tregon hallet, por të gjithë jemi bërë psikologë për të tjerët. Askush nuk tregon sjelljen e vërtetë, por nxjerr atë “grushtin” që do të dëshironte ta kishte dhe ta “ngjeshte në malin që s’bën zanë”.
Vipat tanë, për të cilët nuk kam asnjë koment, pasi janë të realizuar apo po realizohen në drejtimet që duan të marrin në jetë, kanë ngecur në atë që menduan se do tu jepte famë, vëmendje dhe pse jo ndjekës sa më shumë në rrjetet e tyre sociale. Ranë pre e realitetit virtual për të cilin nuk ishin të përgatitur. Ishin mësuar të qendronin në skenë me minuta, dhe kishin maskën më të bukur për publikun, por u rrëshkiti situata nga duart.
Pas kamërave monitoruese në shtëpi, loja po bëhet dhe në rrjetet sociale me momentet pikante nga ky realitet i cili shfaqet në televizion në 24 orë. Hapja e mijëra adresash fallcosh për tu bërë palë me këtë realitet të monitoruar kanë si qëllim të bombardojë publikun me materiale që në fund të ditës të gjithë i harrojmë. E gjithë kjo sjellje e fansave apo e familjarëve të banorëve aty brenda po bëhet torturuese dhe aspak e pëlqyeshme për shikuesin përzgjedhës të emisioneve televizive.
Si gazetare di të them se asgjë e shfaqur në televizion nuk është reale. Sepse është një medium i cili të imponon kushtet e veta dhe ato janë shumë larg reales. Ndaj gjeni një përshkrim tjetër dhe jo më “reality show”!