Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan ishin të pranishëm në inagurimin e Xhamisë së Ethem Beu, si një financim i bërë nga qeveria turke.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij shprehu edhe një herë mirënjohjen ndaj presidentit turk dhe kontributit të vazhdueshëm të shtetit turk për rilindjen e xhevahireve më të çmuar që i përkasin fesë islame, të cilat janë rilindur, siç ka rilindur Xhamia e Ethem Beut, duke thënë se: “Është kënaqësi, por edhe nder i veçantë që unë të jem këtu, sot, së bashku me një mik të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Presidentin e nderuar të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.”
Rama në fjalën e tij u ndal edhe në historinë e dhimbshme të fesë dhe objekteve fetare në periudhën e komunizmit, duke u shprehur se: “Në Shqipërinë e pas rrëzimit të diktaturës plagët ishin të panumërat, nevojat, ishin të panumërat, hallet ishin të panumërat dhe adresmi i kësaj plage, i shërimit të objekteve të kultit mbeti për një kohë të gjatë pas dore”.
Me tej Kryeministri vijoi duke thënë se: “Nga ana tjetër, unë besoj se këto objekte, xhamitë, kishat, teqetë dhe të gjitha objekte që në shekuj u ngritën brez pas brezi në emër të zotit nuk u përkasin vetëm atyre që i vizitojnë, ato për të kryer ritet e tyre. Por i përkasin thesarit të kulturës sonë, i përkasin kujtesës sonë historike, i përkasin shpirtit tonë.
Dhe si të tilla ato duhen me patjetër pasur kujdes, duhen me patjetër rilindur, duhen me patjetër t’i vihen në dispozicion brezave që vijnë”.
Në përpjekjen e vazhdueshme për ta rilindur këtë aspekt të trashëgimisë kulturore Rama tha se: “Ne kemi gjetur të presidenti Erdogan një partner të pazëvendësueshëm.”
Në Xhaminë Ethem Beu, punimet restauruese janë financuar nga Zyra e Koordinimit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, e cila është përgjegjëse edhe për rindërtimin e banesave pas tërmetit. Kjo ndihmë e qeverisë turke për sa i përket infrastrukturës arkeologjike merr tjetër kuptim duke qenë për një objekt të shenjtë dhe njëkohësisht historik, kulturor dhe fetar.
Xhamia e Ethem Beut është restauruar dy herë, që kur është ndërtuar, ndërsa pjesë të saj janë shtuar me kalimin e viteve duke krijuar asimetri, por nga ana tjetër është ndër objektet më me vlerë për komunitetin mysliman në vend.
Kanë përfunduar të dyja fazat e ndërhyjreve, e xhamia ka të restauruar çatinë, tamburin dhe kupolën, teksa janë përforcuar themelet në të gjithë perimetrin dhe janë vendosur xhama në hajatin e xhamisë. Tashmë janë të mbrojtura edhe pikturat e brendshme të xhamisë, të cilat edhe janë restauruar duke ruajtur integritetin piktorik të tyre. Po ashtu xhamia tani ka instalime të reja hidro-sanitare, minare dhe kube të veshur me plumb nga e para, si dhe janë ngritur mure të reja në të gjithë perimetrin e ndërtesës.
Megjithatë, ky nuk është i vetmi ndërtim kulturor e fetar që qeveria turke ka marrë përsipër të restaurojë. Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve e Turqisë është zotuar dhe dy qeveritë kanë nënshkruar marrëveshje edhe për rikonstruktimin e Xhamisë së plumbit në Shkodër, në takimin që u zhvillua në janar të vitit të kaluar. Në këtë xhami do të zhvillohet një punim i gjerë për restaurimin e saj, pasi varrezat osmane në oborrin e saj janë dëmtuar nga përmbytjet e kanaleve ujitës. Do të ndërtohet edhe minarja e Xhamisë së Plumbit nga e para, duke ruajtur integritetin e saj arkitektonik dhe do të ngrihet një sistem parandalimi të përmbytjeve.
Po ashtu, qeveria e Turqisë është zotuar të vijojë programin e restaurimeve të xhamive edhe në qytetet e Beratit dhe Gjiroksatrës. Turqia, si vend mik e partner, është edhe ndër investitorët kryesor në Shqipëri, ndërsa ka punësuar mijëra shtetas shqiptar në kompanitë e tyre këtu. Solidariteti i shtetit turk ndaj vendit tonë, ndihma që qeveria turke dha për ne, nuk erdhi vetëm në ditët e tyre të mira.
Shqipëria dhe Turqia bashkëpunojnë jo vetëm në ekonomi, një aspekti i marrëdhënies dypalëshe, i cili vijon të jetë shumë i frytshëm, por edhe në fushat sociale dhe politike.
Në fushën e kulturës dhe të infrastrukturës vijojnë investimet e qeverisë turke, për të mundësuar rindërtimin objekteve, të dëmtuara nga tërmeti, si dhe objekteve, për të cilat janë nënshkruar marrëveshje para tërmetit.
Gjithashtu, Turqia po ndihmon edhe në projektin e qeverisë për ngritjen e infrastrukturës madhore për mbrojtjen nga përmbytjet.