Nga Dritan Hila/ Është rast i rrallë, përveçse në raste krizash të mprehta, që një funksionar i lartë i Departamentit të Shtetit si Eskobar, të vijë disa herë në Tiranë për të zgjidhur krizën në politikën shqiptare dhe më konkretisht atë në PD si dhe konfirmuar mbështetjen ndaj ambasadores së tyre.
Gjuha e përdorur nga ai në takimin e fundit ishte më e zbutur dhe kjo jo për faktin se janë penduar apo ndërruar mendim për Berishën, por thjesht se për ta ky është një problem i mbyllur, i tejkaluar.
Problemi amerikan në këto momente është të mos lenë vendin pa opozitë dhe Ramën pa oponencë. Gjithashtu edhe për t’u siguruar se lëvizja e Berishës nuk do të jetë në gjendje të destabilizojë vendin dhe nuk krijon të çara ku të depërtojë influenca ruse.
Ndërkohë në krahun tjetër po ndodh fenomeni i gomarit që ndërsa e çante ujku, lutej që kjo të ishte ëndërr. Vetë Berisha dje kaloi në delir duke deklaruar rastet se kur mund ta falte Amerikën për atë që i bëri. Në fakt Berisha është politikan i vjetër dhe nuk i beson as vetë këto përralla vetëm nëse nuk ka rrjedhur plotësisht.
Kurse ndjekësit e tij, i bien fort këtij krahu. Nëse i besojnë vërtet apo shtiren si të tillë, kjo pak rëndësi ka. E gjitha tregon sesa e vështirë është të sillet një pjesë e shqiptarëve si njerëz normal për më tepër që i akuzuari ka damkën kryesore atë të korrupsionit, pra hajdutërisë familjare. Është një damkë që do të stepte çdo njeri normal. Mirëpo jo vetëm Saliu që ka hall por pas i shkojnë edhe të tjerë. Kjo me siguri e habit botën e qytetëruar. Por të paktën ndjekësit e Saliut duhet të qartësohen se në këtë botën ku duam të shkojmë nuk janë shokët e Eskobarit që turpërohen dhe pendohen kur zënë hajdutët. Kaq duhet të mjaftojë që të mos i ngjajë gomarit në ditën e tij të zezë./