Nis procesi i trajnimit për 100 pjesëmarrësit e parë në programin për zgjerimin dhe fuqizimin e rrjetit të vlerësuesve të jashtëm në institucione arsimore.

Këta kandidatë vlerësimi janë drejtorë, nëndrejtorë, mësues dhe specialistë të zyrave arsimore Tiranë, Durrës, Kamëz, Vorë, Lezhë, Kurbin, Mirditë dhe Kavajë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi gjatë fjalës së saj theksoi se pavarësisht se në vite janë ndërmarrë shumë reforma për rritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar, por një nga aspektet ku duhet më shumë progres është monitorimi dhe inspektimi efikas i institucioneve arsimore në të gjitha ciklet, duke filluar që nga arsimi parashkollor.

Ajo shton se për të realizuar këtë objektiv, me iniciativë të ASCAP dhe në bashkëpunim me Shkollën e Drejtorëve, kanë nisur një program për zgjerimin dhe fuqizimin e rrjetit të vlerësuesve të jashtëm, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtësisht me DPAP për të garantuar cilësinë në institucionet tona arsimore.

“Sapo kemi filluar procesin e trajnimit për 100 pjesëmarrësit e parë në program, drejtorë, nëndrejtorë, mësues dhe specialistë të zyrave arsimore, dhe brenda 2 vitesh do të certifikojmë një ekip prej 400 vlerësuesish, duke rritur kështu kapacitetet dhe duke iu afruar më shumë referencave evropiane të periodicitetit të vlerësimit të institucioneve arsimore”- shprehet ministrja.