Kryedemokrati Lulzim Basha njoftoi ndryshime të papritura gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Ndryshimi i disa drejtuesve të Komisioneve Parlamenatre dhe Sekretariateve në PD ishin të pritshme, pas përjashtimeve dhe pezullimeve që Kryesia bëri disa ditë më parë për disa nga deputetët dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, shkruan newsbomb.

I papritur ishte largimi i Alfred Rushajt si kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, i cili u zëvendësua nga Enkelejd Alibeaj, me këtë të fundit që postin e nënkryetarit të Kuvendit ia dorëzoi Agron Gjekmarkajt.

Por pse Basha mori një vendim të tillë për Rushajn, të cilit prej muajsh i kishte dhënë disa nga detyrat më të rëndësishme në PD?

Alfred Rushaj është një emër i njohur për demokratët pasi ka mbajtur poste të rëndësishme në qeveritë Berisha. Nga viti 2005 deri në vitin 2009, ai ka shërbyer si këshilltar juridik i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, ndërsa në mandatin e dytë të Berishës (2009-2013) ka mbajtur postin e Zëvendës Ministritv të Financave.

Pas vitit 2013 Rushaj është distancuar nga politika, por zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 do ta shihnin atë në një post shumë të rëndësishëm, pasi Lulzim Basha i besoi drejtimin e fushatës zgjedhore, ndërsa më pas e vendosi edhe kryetar të Grupit Parlamentar.

Por përplasjet mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës pas 9 shtatorit tregun se cilët ishin vërtetë mbështetësit e kryedemokratit. Alfred Rushaj në daljet e tij në emisione ka justifikuar vendimin e Bashës për përjashtimin e Berishës, por ndryshe nga të besuarit e tjerë të Bashës, ai asnjëherë nuk ka hedhuar akuza ndaj ish-kryeministrit. Në 2-3 muajt e fundit Rushaj ka zgjedhur të heshtë për përplasjen që po ndodh në PD, ndërkohë që prej tij nuk ka patur as edhe një reagim për protestën e dhunshme të 8 Janarit.

A mund të jetë heshtja e tij dhe vendimi për të mos sulmuar Berishën arsyeja e largimit të tij si kreu i Grupit Parlamentar? Kjo është një nga mundësitë, pasi Basha ka treguar se personat që nuk i dalin në krah i “ndëshkon”, siç ndodhi me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit apo edhe me të tjerët që kanë mbajtur qëndrim neutral.