Përplasja në Partinë Demokratike, ashtu siç pritej, është transferuar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i cili është duke zhvilluar sot mbledhjen e parë përgatitore për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Ivi Kaso, përfaqësues i PD në KQZ por që është me krahun e Berishës, ka kundërshtuar përfaqësinë e PD-së në komision pasi sipas tij i ka dërguar Lulzim Basha që nuk është më kryetar. Sipas tij vula e Partisë Demokratike ka ndryshuar që më 11 dhjetor.

“Besoj që momenti procedural kur do të duhet të verifikohet kjo gjë nga ana e KQZ ka për të qenë regjistrimi i subjekteve zgjedhore në garë”, tha Kaso.

Përgjigja e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Celibashi, ishte e menjëhershme.

“Në pikëpamje të ligjit raporti i një partie politike me KQZ-në është një raport i vazhdueshëm, edhe në atë jo zgjedhore. Me gjithë keqardhjen që kam në lidhje me këtë situatë, duhet të pranojmë që jemi në marrëdhënie institucionale. Ai që është përfaqësues ligjor i saj ka konsideruar se cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Opinionet dhe mendimet e PD-së nnë lidhje me aktet janë ato që do të prezantojnë nga Indrit Sefa dhe Marash Logu”, tha Celibashi.