26 Janar, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu bashkë me ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, kanë nënshkruar urdhrin e përbashkët për ngritjen e mekanizmit për nxitjen e punësimit të përfituesve të ndihmës ekonomike.
Manastirliu nënvizon se përmes këtij mekanizmi do të mundësohet punësimi dhe aftësimi profesional i punëkërkuesve të papunë, përfitues në programin e Ndihmës Ekonomike, duke synuar integrimin e tyre në tregun e punës.
“Firmosëm sot bashkë me Ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ngritjen e mekanizmit për nxitjen e punësimit të përfituesve të ndihmës ekonomike, që janë në moshë aktive për punë, sipas një plani veprimi që angazhon në mënyrë direkte Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Shërbimin Social Shtetëror. Ky mekanizëm synon punësimin dhe aftësimin profesional të punëkërkuesve të papunë, përfitues në programin e Ndihmës Ekonomike, duke synuar integrimin e tyre në tregun e punës.
Përmes këtij mekanizmi do të mundësohet dhënia në kohë e informacionit përmes sistemeve të integruara, përgatitja e planeve individuale të mbështetjes për çdo përfitues në moshë aktive pune që merr ndihmë ekonomike; trajnime profesionale dhe aftësim për punësim si dhe punësimi i tyre me synim rritjen mbështetjen e familjes dhe ri-integrimin social të tyre.
#MbështetjePërPunësim?”, shkruan Manastirliu.