“Së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ne alokuam 180 milionë euro për të ndihmuar sektorë jetikë si bujqësia dhe turizmi, duke lehtësuar financimin e tyre dhe ky mekanizëm praktikisht hapi rrugën e një qasje në financa për sektorin e agrobiznesit nëpërmjet një linje kredie dhe mundësisë së ndarjes së riskut të portofolit për insititucione financiare dhe bankare”.
Kështu u shpreh kryeministri Rama në eventin e mbajtur sot për prezantimin e mekanizmit lehtësues të financimit të agrobiznesit dhe turizmit.
Mekanizmit lehtësues, një projekt i lindur nga bashkëpunimi i qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim i është dedikuar agrobiznesit dhe turizmit në vend.
Kryeministri tha në fjalën e tij se sektori i bujqësisë duhet të kthejë sytë nga e ardhmja dhe se ky projekt i krijuar në 2016 tani jep një shtysë të re për financimin e bizneseve në agroturizëm.
“Sot është me shumë rëndësi që jemi këtu së bashku dhe nga drejtime të ndryshme, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga partnerët tanë jepet një mesazh domethënës për të gjithë sektorin e bujqësisë dhe të gjithë aktorët e angazhuar në zhvillimin rural, lidhur me mundësinë e re që është krijuar që në vitin 2016, por me këtë ndërhyrje tjetër të qeverisë shqiptare për të garantuar kreditë e fermerëve apo sipërmarrjes bujqësore, duke insistuar në mesazhin se është koha që çdo ditë ata që janë të angazhuar në prodhimin bujqësor të mendojnë me sytë nga e ardhmja, jo e shkuara.
Është koha që të gjithë të vetëdijësohen se koha e bujqësisë së lëmoshës, bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë së subvencioneve pa kriter a pa karar ka perënduar, ashtu sikundër ka perënduar edhe koha e bujqësisë vetmitare, e atyre që mbeten thjesht dhe vetëm në kufijtë e ngastrës së tyre, pasi është realisht e pamundur, sado që të bëjë shteti për ta, që të garantohet një e ardhme më e mirë apo që e tashmja të ketë një pamje tjetër nga ajo e një mbijetese torturuese”.
Rama përmendi synimet kryesore të qeverisë për sektorin, duke theksuar se inovacioni dhe teknologjitë e reja i bashkohen tashmë ndërveprimit të bizneseve me bankat, si dhe shtoi se financimet e qeverisë dhe BERZH-it kanë ndihmuar në bujqësi dhe turizëm si sektorë jetikë për vendin.
“Qasja jonë do të jetë gjithmonë e më këmbëngulëse që në sektorin e bujqësisë dhe të gjithë punëve të fshatit, të cilat lidhen me prodhimin bujqësor dhe blegtoral, me agrobiznesin dhe agroturizmin është e nevojshme të shihet e ardhmja me syrin e inovacionit, me syrin e sinergjive të reja, me syrin e sipërmarrjes e cila beson tek investimi i kapitaleve dhe te ndërveprimi me bankat.
Së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ne alokuam 180 milionë euro për të ndihmuar sektorë jetikë si bujqësia dhe turizmi, duke lehtësuar financimin e tyre dhe ky mekanizëm praktikisht hapi rrugën e një qasje në financa për sektorin e agrobiznesit nëpërmjet një linje kredie dhe mundësisë së ndarjes së riskut të portofolit për insititucione financiare dhe bankare”.
Kryeministri gjithashtu përmendi fondin e garancisë sovrane dhe ndihmën që ky fond ka dhënë për bizneset shqiptar të sektorit bujqësor.
“Ajo që kemi para syve sot nuk është një arsye për të qenë plotësisht të kënaqur, por është një arsye për të qenë plotësisht të bindur se kjo është rruga. Janë 6 mijë përfitues nga fondi i garancisë dhe janë 72 milion euro të disubursuara nga ky fond.
Mbetet ende në dispozicion një pjesë e konsiderueshme e fondit ashtu sikundër vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare, një fond tjetër garancie sovrane për të mundësuar vazhdimin në këtë rrugë dhe për të mundësuar rritje të kreditimit të bujqësisë”.
Kryeministri Rama theksoi se vendi ka shumë raste suksesi që vërtetojnë se qeveria është në hapat e duhur dhe rruga që po ndiqet do të sjellë sukses për ekonominë e vendit në të ardhmen e afërt.
“Jam shumë i bindur që sot Shqipëria i ka të gjitha rastet e suksesit, të gjithë shembujt e nevojshëm për të demostruar jo me fjalë, por me vepra se cila është rruga e të ardhmes, në zhvillimin rural të vendit, cila është rruga e të ardhmes në modernizimin e sektorit të prodhimit bujqësor, të përpunimit, agropërpunimit dhe në rritjen e eksporteve.
Rruga e të ardhmes është rruga e ndjekur jo më nga një, dy, tre aktorë të suksesshëm në bujqësi, por nga qindra që po bëhen mijëra.
Na takon ne si qeveri, i takon Ministrisë së Bujqësisë në radhë të parë që të investohet seriozisht për t’i promovuar këta shembuj në sytë e të gjithë të tjerëve që duan të bëjnë sukses në këtë sektor për të treguar me forcën e veprave të këtyre aktorëve të sistemit që suksesi është i mundur, fitimi i konsiderueshëm është i mundur dhe rruga e të ardhmes është e mundur”.
Rama po ashtu deklaroi se bujqësia e së shkuarës ku pritej shpëtimi nga shteti ka qënë një iluzion i komunizmit, i cili ka përfunduar me rënien e atij regjimi dhe më tej shtoi se shteti ka akoma rol kryesor në mbështetjen e këtyre sektorëve kaq me rëndësi për ekonominë vendase duke ndarë si shembull eksportet e peshkimit.
“Shteti nuk është shpëtimtari, shteti është mbështetës dhe garant në aspektet që lidhen me lirinë e konkurencës dhe me garantimi e mekanizmave të aksesit në financa, përtej kësaj shpëtimtarët e së ardhmes janë ata që i kanë bërë sot historitë e suksesit, ata të cilët e kanë rritur në mënyrë eksponenciale shifrën e eksportit në peshkim.
Sot industria jonë e eksportit është një industri serioze dhe eksportet tona në peshkim tregojnë qartësisht transformimin që ka sjellë karakteri sipërmarrës i asaj fushe, që falë një numri jo shumë të madh por as të vogël aktorësh të përfshirë po kthehet në një histori të madhe suksesi”.
Në mbyllje të fjalës së tji, Kryeministri paraqiti tablonë e ndarë në dy pamje të sektorit të bujqësisë, duke theksuar se rruga drejt së ardhmes kërkon kurajo dhe vullnet për të arritur suksesin.
“Nga ana tjetër edhe eksportet në bujqësi janë një provë e qartë e mundësive për sukses sepse rriten në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Praktikisht sot kemi 2 pamje të sektorit. Një pamje që është fytyra e të ardhmes e tjetra e së shkuarës.
Ajo çka ne duhet të bëjmë është të nxisim të gjithë atë pjesë njerëzish në sektor që kanë mbetur peng i së shkuarës dhe që me kurajo, vullnet të bashkohen në rrugën e së ardhmes duke u bashkuar në karvanin e atyre që bëjnë sukses.
Është e pamundur ti besohet e ardhmja një ngastre të veçuar kur vjen puna te prodhimi bujqësor. Ne sot kemi të dhëna kuptimplote në disa të tilla. Sot Shqipëria punon dyfishin e tokës bujqësore që punonte vite më parë. Ky prodhim i shtuar dhe këto eksperte që shtohen janë rezultat i një baze të re të vendosur.
Nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që në atë dyfish toke që punohet ka ende shumë problematika që lidhen me prapambetjen e ka shumë nevojë për sinergjira të reja. Më vjen mirë që jemi këtu së bashku me bankat. E dëgjova me vëmendje përfaqësuesin e sektorit bankar, që foli në emër të bankave të nivelit të dytë dhe shpresoj që fjalët e tij të reflektojnë realisht vullnetin e bankave për të pasur një vëmendje më të madhe ndaj kërkesave të sektorit të bujqësisë dhe të zhvillimit rural sepse është pa as më të voglin dyshim një rrugë ku nuk ka të humbur dhe me fondin e garancisë sovrane, kjo rrugë bëhet edhe më e lehtë, besoj unë për bankat, por patjetër që në këtë rrugë duhet mbështetja shumë e fokusuar e ministrisë së bujqësisë për të garantuar që bankat të marrin aplikime, të cilat I përmbushin kriteret për tu marrë në konsideratë.
Shumë më tepër informim për fermerët. Asistencë teknike dhe më shumë investim energjish nga ana jonë për të rritur kapacitetet e dijes. Në bujqësi historia e zhvillimit të vendeve tregon se sa e rëndësishme është dija dhe përditësimi i njohurive për të pasur sukses” përfundoi Kryeministri duke falenderuar edhe njëherë pjesëmarrësit për mbështetjen e dhënë në drejtim të zhvillimit të këtij sektori.