Greqia ka shtyrë masat aktuale anti-COVID deri më 7 shkurt 2022.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton sot se, “të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Greqisë, pavarësisht kombësisë, pavarësisht nëse janë të vaksinuar ose kanë qenë të diagnostikuar me COVID-19, janë të detyruar të paraqesin test negativ PCR, kryer brenda 72 orëve, përpara udhëtimit ose test të shpejtë antigjenik, kryer brenda 24 orëve para udhëtimit”.

Gjithashtu MEPJ bën të ditur se, “të gjithë udhëtarët që hyjnë në territorin e Republikës së Greqisë, duhet të plotësojnë formularin elektronik PLF (Passenger LocatorForm), në adresën elektronike https://travel.gov.gr, me të dhënat e tyre të kontaktit në Greqi, përpara mbërritjes”.

MEPJ shton se, masa vlen për të rriturit dhe fëmijët mbi 5 vjeç, pavarësisht nga vaksinimi.

“Pikat kufitare të Kakavisë, Kapshticës dhe Qafbotës funksionojnë gjatë 24 orëve. Pika kufitare e Tre Urave funksionon nga ora 08:00 deri në orën 20:00”, përfundon njoftimin MEPJ.