Rruga e Arbrit, e cila dje u raportua si e bllokuar, është e hapur. Dhe jo vetëm Rruga e Arbrit por të gjitha akset rrugore në vend. Këtë deklaratë bëri drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato, përmes një komunikimi me mediat.
Ai apeloi për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të jenë të kujdesshëm në rrugë, duke përdorur zinxhirët apo gomat e dimrit. Ai tha gjithashtu se shoferët duhet të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme natën.
“Duhet të jemi shumë bashkëpunues, mes institucioneve por edhe me qytetarët. Të eliminojmë ngjarjet rrugore sidomos ato që rrezikojnë jetën. Të gjitha akset në vend janë të kalueshme. Ka disa akse me vështirësi, sidomos ato malore”, tha Qato.