Punimet në Ekopark në Durrës vijojnë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë pasdite një video nga kantieri, ku duket se tashmë janë ngritur edhe fushat e sportit.
Kryeministri shkruan se kjo hapësirë do t’iu dedikohet plotësisht fëmijëve e prindërve për të shijuar Durrësin me të gjithë atraksionet që të ofron.
“A ju kujtohet fusha danteske e plehrave të Durrësit, e cila u bë faqja e zezë e Shqipërisë nëpër mediat e botës? Së shpejti aty ku digjeshin plehrat nën dritën e diellit e hënës dhe dergjeshin kope derrash e dosash mes tymrash e zjarresh, do të dynden prindër e fëmijë, vajza e djem, për të shijuar Ekoparkun e Durrësit me atraksionet e tij”, shkruan Rama.
Ekoparku i Madh në Durrës i ka ‘zënë vendin’ vatrës së plehrave në Porto Romano, ndërsa në këtë zonë do të ndërtohet edhe zona e re industriale dhe Parku i ri Fotovoltaik, me synimin për ta kthyer në një motor ekonomie jo vetëm për Durrësin.
Ekoparku do të ketë jo vetëm pedonalen, por do të ofrojë edhe një sërë facilitetesh e shërbimesh për të gjithë grupmoshat, nga fushat e sportit tek ambientet shplodhëse.