Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, informoi sot lidhur me situatën në vend në kushtet e motit me temperatura të ulëta dhe reshje dëbore. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku bën të ditur se nuk ka pasur probleme me qarkullimin në akset rrugore të vendit.
Gjatë natës në pjesën më të madhe të territorit nuk ka pasur reshje dëbore. Moti paraqitet i kthjellët me temperatura që variojnë nga -2 në rajonin qendror deri në -16 në rajonin verior dhe jugor.
Balluku theksoi se, për sa i përket furnizimit me ujë, në Kukës është çarë linja kryesore 275 mm për shkak të ngricave.
Është duke u punuar për riparimin e saj. Ndërsa në rrethet e tjera furnizimi me ujë vijon normalisht. Në stacionet e pompimit nuk ka probleme përfshirë edhe furnizimin me energji elektrike, tha ministrja.
Balluku informoi se, prodhimi i energjisë elektrike në kaskada shënon 16.980 MWh/ditë, kërkesa sot për energji është 21.788 MWh/ditë dhe kërkesa e pritshme për ditën e nesërme (23 janar) për energji elektrike parashikohet në 18. 182 MWh/ditë. 11 defekte kanë ndodhur gjatë natës në rrjetin e tensionit të mesëm, ndërsa janë zgjidhur 10 defekte në Shkodër, Berat, Lushnje dhe Gjirokatër.
Balluku tha se, nuk ka pasur asnjë problem në portet dhe aeroportet e vendit.