Nga Dritan Hila/ Rihyrja e Berishës në sallën e Kuvendit rihap lojën institucionale të PD.
Prania e tij në sallë padyshim që ve në siklet pjesën e cila nuk e ka ndjekur në shizmën e tij por edhe hap pikëpyetje të mëdha.
Njeriu i cili është mësuar që ku të jetë ai është edhe kryet e tavolinës, ka peshën e vet në qëndrimet e PD në të ardhmen.
Kjo do të fillojë që me betejat e para parlamentare. Është kuriozitet se çfarë qëndrimi do të mbajë ai kur Basha të akuzojë qeverinë për çështjen e inceneratorëve. A do ta akuzojë ai në sallë grupin e Bashës për flirt me Ramën? Ose cili do të jetë qëndrimi i grupit filoberishë ndaj votimeve të ligjeve të ndryshme që do promovojë grupi i Bashës?
Salla e parlamentit mund të shërbejë edhe si ngjitës për afrimin e heshtur të dy grupeve, por mund të jetë edhe vend ku mund të nisin përplasjet.
Pikë kurioziteti është edhe si do sillet grupi i Bashës ndaj iniciativave të Berishës. Dihet talenti i Berishës për të fuqizuar dhe bërë bërtitëse kauzat. A do të bashkohet edhe ai i Bashës, duke lënë kështu shijen e një nënshtrimi të tij ndaj linjës së ish-shefit të tij.
Pa folur pastaj për prezencën e njëkohshme në sallë të dy liderëve, ku sharjet mes tyre nuk kanë qenë aspak në nivelin teatral.
E në këtë mes nuk do të mungojë personi i cili e ka specialitet të tij ndezjen e sherrit mes palëve për të dalë në fund i fituar ai vetë, Edi Rama.
Tashmë në sallën e kuvendit përveç luftës verbale që po mësohemi, do kemi edhe luftën psikologjike, ku Basha ende nuk e ka provuar veten ndërsa Berisha nuk është më ai i pari.