Deputeti demokrat Flamur Noka ka kthyer sërish vëmendjen tek djegia e mandateve nga opozita, duke u shprehur se Lulzim Basha e bëri fakt të kryer pa e diskutuar më parë me strukturat. Për ‘Kontrast’ në Report TV, Noka zbuloi edhe qëndrimin e Sali Berishës.
“Unë kam qenë partizan i djegies së mandateve, ose më saktë të kërcënimit për djegie mandatesh, sepse Edi Rama po sillej totalisht në mënyrë jodemokratike me opozitën. Zoti Basha e ka deklaruar në media pa na thirrur ne së pari. Sali Berisha në mbledhje më paska thënë se çdo gjë duhet matur dhe menduar mirë. Djegia e mandateve është një akt që të mos prisni që ndonjë faktor ndërkombëtar t’ju mbështesë. Unë nuk e di a do të keni këllqe ta mbani. Do të zbatoj çdo vendim, tha Berisha, dhe iku. Kjo ka qenë deklarata e Berishës”, tha Noka.
Deputeti u shpreh se Lulzim Basha e ‘dorëzoi’ Sali Berishën pas presionit që i është bërë me dosjen për lobimin rus në SHBA. Ai tha se shumë në Partinë Demokratike nuk kanë qenë fare në dijeni të lobimit në fjalë.
“Shumë pak burra janë të gatshëm të përballen me burgun. Kur i është tundur ajo kartë… Sepse ne nuk besonim fare te çështja e Nick Muzin dhe nuk dinim gjë fare. Edhe Sali Berishës kur i ka vajtur dosja. Jam i bindur që s’e ka hapur fare dhe ka thënë se nuk beson në të” – tha Flamur Noka në ‘Kontrast’.