Varianti Omicron i COVID-19, i cili është më shumë infektiv, duket se shkakton sëmundje më pak të rëndë se sa varianti dominues globalisht Delta, por nuk duhet të kategorizohet si “i lehtë”, thanë të enjten zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Janet Diaz, drejtuese e OBSH-së për menaxhimin klinik, tha se studimet e deritanishme kanë treguar se, krahasuar me variantin Delta, ka një rrezik më të vogël për t’u shtruar në spital nga varianti Omicron, i cili u identifikua për herë të parë në Afrikën Jugore dhe në Hong Kong në muajin nëntor.
Gjithashtu, vihet re se sëmundja është më pak e rëndë si te të rinjtë, ashtu edhe te të moshuarit, tha ajo në një konferencë për shtyp nga zyrat qendrore të OBSH-së në Gjenevë. Konkluzionet për rrezikun e reduktuar për sëmundje të rëndë përputhen edhe me të dhëna të tjera, duke përfshirë studimet nga Afrika e Jugut dhe Anglia, megjithëse ajo nuk dha detaje të mëtejshme për studimet ose për grupmoshat e rasteve të marra në shqyrtim.
Ndikimi te të moshuarit është një nga pyetjet e mëdha për variantin e ri që ka mbetur pa përgjigje, pasi shumica e rasteve të studiuara deri më tani kanë qenë te të rinjtë. “Megjithëse Omicron duket se është më pak i rëndë në krahasim me variantin Delta, veçanërisht për të vaksinuarit, kjo nuk do të thotë se duhet të kategorizohet si i lehtë,” tha drejtori i përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus në të njëjtën konferencë në Gjenevë. “Ashtu si variantet e mëparshme, Omicron po shtron njerëz në spitale dhe po vret njerëz.”
Ai paralajmëroi për një “tsunami” të rasteve të reja, pasi infektimet globale po kapin shifra rekord si pasojë e të dy variantave, Omicron dhe Delta. Sistemet e kujdesit shëndetësor janë të mbingarkuara, ndërsa qeveritë po luftojnë për të reduktuar përhapjen e virusit, i cili deri tani ka bërë që më shumë se 5.8 milion njerëz të humbin jetën. ‘Miliarda njerëz janë tërësisht të pambrojtuar’
Tedros përsëriti thirrjen e tij për barazi më të madhe globale në shpërndarjen dhe aksesin ndaj vaksinave. Bazuar në shkallën aktuale të shpërndarjes së vaksinave, 109 vende nuk do të mund të arrijnë objektivin e OBSH-së që 70% e popullsisë së botës të vaksinohet plotësisht deri në korrik, shtoi Tedros. Ky objektiv mendohet se do të ndihmojnë në përfundimin e fazës akute të pandemisë. “Aplikimi i dozave përforcuese njëra pas tjetrës në një numër të vogël vendesh nuk do t’i japë fund pandemisë, në një kohë kur miliarda njerëz mbeten tërësisht të pambrojtur,” tha ai.
Këshilltari i OBSH-së, Bruce Aylward, tha se 36 vende nuk kishin arritur as 10 për qind të vaksinimit të popullsisë. Ai shtoi se 80% e pacientëve të sëmurë rëndë në të gjithë botën, janë të pavaksinuar. Në raportin e saj javor epidemiologjik të publikuar të enjten, OBSH tha se, javën e kaluar, rastet e reja u rritën me 71%, ose me 9.5 milionë, krahasuar me javën e mëparshme, ndërsa vdekjet ranë me 10%, ose me 41,000. Një variant tjetër, B.1.640 – i identifikuar për herë të parë në shumë vende në shtator të vitit 2021 – është ndër variantet që po monitorohen nga OBSH, por nuk po qarkullon gjerësisht, tha drejtuesja teknike e OBSH-së për COVID-19, Maria van Kerkhove.
Ekzistojnë dy kategori të tjera të rëndësishme që OBSH përdor për të gjurmuar variantet: “variant shqetësues”, i cili përfshin Deltan dhe Omicron, si dhe “variant me interes”. / Reuters