Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me operacionin e shtrirë në disa shtete, që solli arrestimin e 25 personave, mes tyre 18 shqiptarë. Aksioni në fjalë goditi një rrjet trafikantësh të klandestinëve. Përmes një reagimi, Çuçi theksoi se ky aksion është një tjetër dëshmi e modelit të shkëlqyer të punës së skuadrave të përbashkëta hetimore me vendet e Bashkimit Europian.
“Operacioni ndërkombëtar i Policisë së Shtetit për goditjen e një rrjeti kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e jugut dhe në vijim për në vende të tjera të BE-së, është një tjetër dëshmi e modelit të shkëlqyer të punës së skuadrave të përbashkëta hetimore me vendet e Bashkimit Europian. Jemi maksimalisht të angazhuar dhe të vendosur për të goditur me të gjithë forcën e ligjit çdo rrjet kriminal të trafikut të klandestinëve. Shqipëria mbron të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve, por kurrsesi nuk do të bëhet urë kalimi për grupet që iu rrezikojnë jetën dhe shfrytëzojnë dramën e atyre njerëzve për qëllime fitimi. Vlerësim për punën e Policisë së Shtetit, SPAK, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe partnerëve tanë për finalizimin me sukses të këtij operacioni,”tha Çuçi.