Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka njoftuar se në mbledhjen e qeverisë është vendosur për shtimin e zonave të mbrojtura në vendin tonë.
Ajo tha se Parku Natyror i Munellës është shpallur zonë e mbrojtur ndërsa lista e plotë do të jetë e publikuar në vendimet e qeverisë në fletoren zyrtare.
“Kemi bërë një punë të gjatë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit që për 2 vitesh kemi punuar në terren për të bërë një përditësim të territorit, e të zonave ekzistuese të mbrojtura të të gjitha kategorive, duke pasqyruar gjithçka ka ndodhur në territor në 30 vitet e fundit. Shpesh nuk janë respektuar kriteret mbrojtëse dhe kishim një mospërputhje të realitetit për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur. Ky proces i cili pasi ka kaluar në të gjitha bashkitë dhe pas miratimit të Këshillit Kombëtar të Territorit ka përfunduar me të gjitha saktësimet dhe hartat përkatëse. Kemi me këtë proces rishikimi shpallje të zonave të reja siç është lumi i Vjosës, që është aq shumë i komentuar apo siç është lumi i Shalës e kështu ne shkojmë me 2 nivele të reja të mbrojtura. Kemi një riorganizim të hapësirave të coptëzuara më parë, duke i përfshirë në një territor më të gjerë që shkon në 20 mijë ha. Sot edhe me verifikim të territorit kemi 21% të territorit me dy vendime që janë në proces verifikimi mbërrijmë në një aset kombëtar që në 2022 do e kemi të përcaktuar me koordinata. I gjithë koncepti është për të shkuar më tej. Duke zhvilluar turizmin malor, sportet dhe turizmin e infrastrukturës. Parku Natyror i Munellës shpallet zonë e mbrojtur. Me shpalljen e VKM-ve do të keni listën e plotë të zonave të mbrojtura”, tha Kumbaro.
E pyetur se përse Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet në një zonë të mbrojtur dhe a janë përmbushur standardet e caktuara ministrja tha:
“Në gjithë muajt e fundit të vitit 2021 kemi pasur një proces të gjatë që është zhvilluar edhe me dëgjesat publike edhe ekspertizat e grupeve të ndryshme të ekspertëve, të cilët kanë prodhuar raportet e dëgjesave publike duke respektuar të gjitha etapat dhe afatet për të prodhuar deklaratën mjedisore. Vendimi i Këshillit Kombëtar të territorit ka miratuar projektin. Ne kemi respektuar afatet e ligjeve shqiptare qoftë për konsultimet publike, qoftë për vlerësimet e ndikimit në mjedis”.