Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Komitetit Olimpk, Zyrave Vendore Arsimore dhe ato të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar nga i gjithë vendi për të prezantuar dhe nisur zbatimin e programit kombëtar “Ekipet sportive”, që do mbahet përgjatë këtij viti. Kryeministri tha se: “Është një takim i veçantë nga formati, por është i domosdoshëm për t’u angazhuar të gjithë ju që jeni këtu dhe natyrisht ne në panel, për të nisur me këmbë të mbarë programin e sportit duke u përpjekur ta çojmë në një nivel tjetër atë që nisëm me rikthimin e orëve sportive në shkollë pas një periudhe asgjësimi të plotë të çdo aktiviteti fizik. Ky ishte reliteti ku e gjetëm sportin në shkolla, por që duhet ta çojmë më tutje me një organizim shumë më profesional, efikas, masiv dhe me shumë më tepër impakt në jetën e komunitetit.”

“Është një boshllëk, sidmos në periferi dhe bashkitë e vogla, ku për fëmijët dhe të rinjtë nuk ka aktivitete të organizuara që t’u jap mundësinë që ata të kenë një hapësirë edukimi, që i ndihmon në aftësimin e shqisave, rritjen dhe zhvillimin e talenteve të tyre, qoftë përmes zejeve e arteve po dhe sportit, që janë një komponent shumë i munguar, në një kohë që përqëndrimi i fëmijëve është më i madh te elektronika dhe i munguar në pjesë të tjera të rëndësishme të jetës së njeriut, të cilat kanë të bëjnë me punën e duarve, me kontaktin me tokën, jetën emocionale dhe shoqërore” shtoi ai.
Rama theksoi se: “Programi i sportit do ndihmojë edhe për të filluar një spostim të rëndësishëm të aktivetit sportive, nga pjesa e aktivetit të klubeve informale sportive, ku prindërit shpenzojnë jashtëzakonisht shumë para, në hapësira të organizuara dhe formale. Mirëpo krijimi i këtyre komponenteve është i pamundur nëse ZVA-të dhe bashkitë nuk marrin përsipër të bëjnë punën e tyre. Pjesa më e madhe e bashkive nuk japin përgjigje për disa pyetje shumë elementare për të pasur dijeni mbi terrenet sportive dhe palestrat që janë në dizpozicion në territorin e tyre.”

Ky program, që fillon zbatimin përgjatë vitit 2022, nxit gjithëpërfshirjen, masivizimin dhe edukatën sportive në jetën e përditshme për fëmijët dhe të rinjtë e këtij vendi. Për herë të parë qeveria ka akorduar 500 milionë lekë në buxhetin e 2022-shit për zbatimin e këtij plani afatgjatë, duke i deleguar Komitetit Olimpik dhe federatave sportive ekzekutimin e këtij programi për nga pikëpamja financiare. Ky është një projekt nga i cili do të punësohen më shumë se 350 trajnerë të basketbollit e volejbollit dhe me një trajnim të vazhdueshëm për rritje kapacitetesh. Synimi kryesor është krijimi i 680 ekipeve në basketboll dhe volejboll për të dyja gjinitë nga ku do të përfitojnë më shumë se 14,000 vajza dhe djem, të cilët aktualisht ndjekin studimet në shkollat 9-vjeçare, gjimnaze dhe universitete.

Kështu, për herë të parë do të organizohen kampionate në secilin qark, 96 në total po ashtu edhe 12 kampionate kombëtare midis fituesve të të gjitha disiplinave në nivel qarku, duke përfaqësuar të 12-të qarqet e vendit.
Një ndër qëllimet kryesore të shtetit shqiptar, është mbushja cilësore e kohës së lirë që fëmijët dhe të rinjtë kanë midis shkollës dhe shtëpisë, andaj këto aktivitete i ndihmojnë në forcimin e imunitetit, bashkëpunimit dhe krijimin e miqësive. Kjo parandalon që moshat e reja të bëhen pjesë e fenomeneve negative si bullizmi, dhuna, droga e alkooli dhe rrit parametrat e tyre fizikë duke shmangur rrezikun e obezitetit.