11 vite nga protesta e 21 Janarit, kryeministri Edi Rama ka nderuar katër protestuesit që u vranë në bulevard. Rama shkruan se ka ndjesinë pozitive nga shenjat e dallueshme të drejtësisë së re, duke theksuar se ajo vonon por nuk harron.

“Mirëmëngjes dhe me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron, si edhe ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re, nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi”, shkruan Rama.

Më 21 janar 2011 humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënua nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” .

Pas më shumë se një dekade nga ngjarja, prokuroria e Tiranës rinisi hetimet për 4 viktimat Hekuran Deda, Aleks Nika, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj dhe plagosjen e 6 të tjerëve. Policia dorëzoi në prokurori letër kërkesën, ku u kërkua ri-ekspertim hetimor, një ditë para mbushjes së dhjetë viteve nga ngjarja e rëndë.